Vllaznia gdhend me germa të arta titullin

0

Gjergj Vyshka

Vllaznia në volejboll për meshkuj jo vetëm që është për herë të parë kampione e Shqipërisë, duke bërë surprizën më të madhe të këtij sezoni, por mbi të gjitha e ka gdhendur me gërma të arta trofeun. Nga një skuadër që erdhi me vështirësi në fazën Play-off, vetëm pas dhuratës që i bëri Studenti, i cili në javën e fundit të fazës së dytë mundi Tiranën, 3-0, në një ekip mrekulli. Në gjashtë ndeshje të fazës finale numëron pesë fitore dhe një humbje e mbi të gjitha mban mbi shpatulla eliminimin e jashtëzakonshëm të kandidatit potencial për titull kampion si Partizani e më pas dhe nxjerrjen jashtë loje të skuadrës kampione në fuqi Studenti. Ndaj Vllaznia, si kampione e Shqipërisë, është bukuria e këtij sezoni të rrjetës shqiptare, që ka thyer tabutë duke dalë jashtë të zakonshme çka ndodh shpeshherë në lojërat me dorë në vendin tonë. Vetëm me katër pika të forta si Nikolin dhe Anton Qafarena, kapiteni Ditmir Rrashketa, serbi Xhorxheviç, Vllaznia e Kroqit bëri mrekullinë. Me shumë guxim u aktivizua i riu organizator Gledis Lloshi, apo dhe Gjoklaj, ndërsa të tjerët që nga lojtari i lirë Kola për të vijuar tek Drinasi, Jukni, Miloti, Taflaj, Preka ishin “garnitura” më e bukur e kësaj Vllaznie me shumë meritë kampione e Shqipërisë. Sigurisht që largimi i Anton Qafarenës tek gjermanët e TV Buhlit nuk duhet ta dekurajojë këtë ekip, sepse prej saj tashmë pritet rikonfirmimi si kampione e mbi të gjitha një prezantim sa më dinjitoz në Kupat e Evropës. Mbi të gjithë për ata që besuan në mrekullinë e skuadrës së Mark Kroqit, atje ku nuk mund të lihet pa përmendur dhe ish-trajneri Artan Kalaja si zbuluesi dhe rritësi i këtyre talenteve që me shumë guxim e shpallën Vllazninë kampion.

Ndeshja
Janë dashur 35 minuta për të përfunduar setin e parë, sepse në fakt është luajtur pikë më pikë. 7-8 dhe 15-16 e Vllaznia është në avantazh në të dy pushimet teknike. Më pas 15-17, 20-21 e atëherë kur dukej se seti po shkonte në favor të Vllaznisë, Studenti ndryshon dhe pas tre barazimeve radhazi, 24-24, 25-25 dhe 26-26, kanë ardhur dy pikët e fundit për skuadrën e Sakos. 28-26 seti i parë për kampionët në fuqi. Studenti e ka nisur mirë dhe setin e dytë, ndërsa ka kryesuar 8-4 dhe 15-9. E për çudi skuadra shthuret. Me një avantazh të pjesshëm 0-10, me 11 shërbime radhazi të Rrashketës, Vllaznia ka përmbysur në 15-20 dhe më pas është vënë në udhëheqje të rezultatit derisa e ka fituar setin 20-25. Vllaznia duket se është liruar dhe kryeson 2-6, 4-8. Por në shërbimin e Xhorxheviçit, teksa rezultati është barazuar 11-11, topi që ka përfunduar brenda fushës së Studentit është cilësuar jashtë nga gjyqtari kryesor Shehu. Sako ka reaguar ndaj vendimit të asistentit Nurja, i cili dhe në përsëritjet në ekranin e televizorit, (ndeshja është transmetuar në RTSH 2, RTSH Sport dhe Telesport), ka pasur të drejtë. Dhe për të karton i verdhë. Studenti udhëheq në 16-15, 19-17, 20-15. Por Vllaznia përmbys në 23-24 dhe merr setin 23-25. Edhe në setin e katërt Studenti është në avantazh 8-7, 16-14. Por barazon skuadra shkodrane në 17-17 dhe më pas udhëheq 19-21 dhe në fund 22-25 dhe 1-3. Festa është e gjitha e shkodranëve, teksa dhe momente tensioni, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Trofetë i ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi; presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani; sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola dhe anëtari i kryesisë së rrjetës Sokol Halili.

Shifrat
Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Anton Qafarena i Vllaznisë me 21 pikë i ndjekur nga Nikolin Qafarena i Vllaznisë me 13 pikë, si dhe Vlade Xhorxheviç i Vllaznisë dhe Denis Rama i Studentit me 12 pikë. Në bllok ka dalë fitues Asmend Kula i Studentit me gjashtë mure fituese i ndjekur nga Blerim Pepaj i Studentit dhe Anton Qafarena i Vllaznisë me katër mure fituese, si dhe Gjoklaj, Nikolin Qafarena e Rrashketa të Vllaznisë me tre. Në shërbim janë dalluar me nga një të tillë Pepaj, Lundra, Kupi të Studentit, si dhe Nikolin Qafarena dhe Ditmir Rrashketa të Vllaznisë me nga një secili. Në total në katër sete Studenti ka shënuar 91 pikë prej të cilave 60 pikë vetë, kurse 31 pikë kanë ardhur nga gabimet e Vllaznisë. Në anën tjetër Vllaznia në katër sete ka realizuar 101 pikë prej të cilave 72 pikë vetë, kurse 29 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Përfundimisht Vllaznia kampione e Shqipërisë me shumë meritë.

VOLEJBOLL MESHKUJ

FINALE

Studenti – Vllaznia     1-3 (0-3)
(28-26, 20-25, 23-25, 22-25)
Studenti: Pepaj, Lundra, Xhabrahimi, Rama, Kupi, Kula, Bërdufi (L)/Baruti, Çullhaj, Sejati Trajner: A.Sako
Vllaznia: Gjoklaj, Lloshi, Kola (L), N.Qafarena, A.Qafarena, Xhorxheviç, Rrashketa/Drinasi, Çekini, Jukni Trajner: M.Kroqi
Gjyqtarë: A.Shehu, Ko.Gjoka (Tiranë)
Asistentë: A.Brokaj, A.Nurja (Tiranë)

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here