Vllaznia e volejbollit, jashtë Europës për 7000 euro!

0

Vllaznia, kampionia në fuqi e volejbollit të meshkujve rrezikon të mos marrë pjesë në Kupat e Europës. Vetëm dje, të paktën sipas shefit të klubit shumësportësh Vllaznia, Mark Krroqi, në zyrat e klubit shkodran ka mbërritur një kërkesë e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Mbi bazën e rregullores në nenin 36/1 i është kërkuar Vllaznisë kalimi i 7 mijë eurove si garanci për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Dhe kjo deri më 28 maj, që të paktën sipas Kroqit nuk ka kohë për veprim.

“Sepse ne jemi klub që financohemi nga Bashkia e Shkodrës dhe për një shumë të tillë duhet të kemi vendim të Këshillit Bashkiak. Dhe kam kërkuar një kompromis, por më ka thënë jo”, thotë Kroqi, ndërsa për shkak të procedurave administrative klubi Vllaznia e ka shumë të vështirë ta paguajë këtë shumë.

“Së paku nuk na heqin titullin kampion. Por kush po kërkon zbatimin e rregullores këta drejtues që e kanë thyer atë me të dy këmbët, ndërsa kanë mbi dy vjet që nuk mbledhin asamblenë. Kjo është për të ardhur keq”, përfundon Kroqi, por realisht është një minus i madh nëse nuk merr pjesë Vllaznia kampione në fuqi e volejbollit të meshkujve.

Jemi realistë që për shkak të këtyre shumave financiare për femra nuk merr pjesë në Kupat e Evropës as Barleti Volej, edhe pse është me financim privat. E ka përballuar deri më tani Studenti, që ishte nën financimet e ish-trajnerit Ylli Tomorri, apo nga dëshira e shefit të klubit shumësportësh Blendi Nallbani për sezonin që sapo u mbyll. Por në të vërtetë klubet e volejbollit shqiptar, ashtu sikurse i gjithë shumësportëshi, janë trok nga ana financiare.

Nuk duhet harruar që në sezonin 2012-2013 është dënuar Minatori i Rrëshenit tre vjet mospjesëmarrje e një gjobë prej gati 7000 eurosh sepse për arsye financiare nuk luajti me qipriotet e Limasolit. Dhe që prej asaj kohe nuk jemi në Kupat e Evropës për femra, kurse tashmë për meshkuj, teksa bëhet fjalë për Vllazninë kampione sërisht problem është financa. Garancia financiare e kërkuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit prej 7000 eurosh mund të jetë e drejtë, por realja është që kampionen nuk do ta kemi në Kupat e Evropës. Dhe kjo është humbje për të gjithë…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image