Vllaznia e madhe në ajër, organizohet skuadra e dytë

Te skuadra e parë vazhdon heshtja totale, që “justifikohet” me zgjedhjet, kurse Vllaznia B, e ngjitur në Kategorinë e Parë, ka filluar punën          

Gaspër Marku

Një Vllazni në “hava”, kurse tjetra në rrugën e duhur. Në Shkodër ka lëvizje për sa i përket futbollit, por paradoksalisht në Vllazninë B dhe jo në Vllazninë A. Në fakt, edhe skuadra e dytë është e rëndësishme, sepse sezonin e ri do të jetë pjesë e  Kategorisë së Parë, por natyrshëm gjithë vëmendja e opinionit sportiv shkodran he më gjerë është e përqendruar te Vllaznia e madhe. Një qytet i tërë, që jeton me futbollin, pret çdo ditë me shumë kureshtje të dijë lajmet më të fundit rreth riorganizimit të Vllaznisë së re, por nga selia e klubit kuqeblu ka vetëm heshtje në këtë drejtim. Dikush, jo zyrtarisht, thotë se me mbylljen e kësaj jave, që konsiston edhe me zgjedhjet, përfundon edhe situata konfuze, që spontanisht ka dhënë efektin e vetë jo pozitiv në ecurinë e punës në kampin kuqeblu. Gjithsesi, edhe pse mund të jetë e vërtetë, në një farë mënyre nuk duket si shumë bindëse, pasi realisht ata që merren me futbollin, duke nisur nga stafi teknik, drejtuesit e klubit, bordi mbikëqyrës dhe deri edhe te presidentja-kryebashkiake Voltana Ademi, nuk është se janë parë të jenë të angazhuar me fushatën elektorale të këtij muaji. Ndaj, në këtë drejtim, nëse do të kishin pasur vullnetin e mirë, mund të kishin bërë hapat e duhur në drejtim të procesit të riorganizimit të Vllaznisë së madhe. Nga sa mund të kuptohet, diçka serioze mungon dhe i mundon drejtuesit në punën e tyre për të përfunduar këtë proces, që po pritet me shumë interes në opinionin sportiv shkodran. Madje, e thënë hapur, ka shumë prej atyre në Shkodër, të cilët nuk duan t’ia dinë fare për zgjedhjet parlamentare përpara fatit të Vllaznisë. Gjithnjë nëse mund të ketë pjesën e vet kjo situatë zgjedhjesh, fansave kuqeblu të paktën u duhet thënë të durojnë edhe pak, sepse edhe pesë ditë kanë mbetur deri te e diela, duke shpresuar se që prej së hënës ata që e kanë për detyrë, të merren seriozisht me Vllazninë.

VLLAZNIA B GATI – Pas problematikës, që shoqëron Vllazninë A, ka lajme të mira për futbollin shkodran, por që kanë të bëjnë me Vllazninë B. Në ndryshim nga skuadra e parë, këtu gjërat duket se po ecin me ritmin e duhur. Lajmin e bën të ditur vetë kreu i kësaj skuadre, trajneri Elvis Kraja, sipas të cilit, prej ditës që ata fituan përballë Sopotit, duke siguruar kualifikimin në Kategorinë e Parë, kanë nisur të mendojnë për sezonin e ri. Madje, përkundër opinionit se fushata elektorale konsiderohet si pengesë, Kraja thotë se gjatë kësaj periudhe nuk i kanë munguar kontaktet me kryebashkiaken e Shkodrës, e cila i ka ofruar mbështetjen për organizimin e një Vllaznie autoritare edhe në Kategorinë e Parë. Përveç kryebashkiakes-presidente, Kraja ka zhvilluar edhe disa takime me drejtuesit e klubit, me drejtorin sportiv Eugent Zeka, por edhe me administratorin Astrit Gjyrezi, të cilëve u ka bërë të ditur projektin e Vllaznisë B të sezonit të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *