Vllaznia del nga koma, Lushnja izolohet në fund

Fitore e artë për Vllazninë, që ka fituar ndeshjen e parë që prej ardhjes së Ernest Gjokës dhe sot ka mundur 2-1 Lushnjen, rival direkt në fundin e tabelës. Ishte një ndeshje shumë delikate, plot tension e nevojë për pikë, por pavarësisht nga frika e humbjes, doli në dritë e bukur e me shumë raste.

Vllaznia ishte thuajse perfekte për një orë lojë, duke shënuar dy gola me Likën e Gocajn në 30 minutat e para të ndeshjes, por më pas shkodranët humbën raste pa fund dhe goli i Metos pas një ore loje ktheu Lushnjen në lojë.

Në 30 minutat e fundit lojë shumë e hapur dhe Atsina u bë “krimineli” i rasteve të humbura, sepse gaboi raste të pafalshme, aq sa nëse barazonte Lushnja, kushedi çfarë do t’i bënin në Shkodër.

Vllaznia kap Luftëtarin në renditje dhe të dyja ndeshen në fundjavë në Shkodër, ndërsa Lushnja mbetet e izoluar në fund.

E mërkurë, ora 14.00, Shkodër

Vllaznia – Lushnja       2-1

Shënues: Lika 4′, Gocaj 27′ pen. / Meto 59′

Vllaznia: Selimaj, Marku, Orelesi, Gurishta, Gocaj, Vucaj, Tafili, Çinari (Hajdari 73′), Gilman Lika (Ribaj 90′), Hasani (Bardulla 46′), Atsina.

Trajner: Ernest Gjoka

Lushnja: Spaho, Marku, Premçi, Gava, Ruço, Meto, Papa (Magani 77′), Alushi (Taullau 46′), Pepa, Canka, Sefa

Trajner: Hysen Dedja

Karton i verdhë: Selimaj 90’+2 / Kristi Marku 26′

Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Orgest Grabova, Renato Malaj, Eldorjan Hamiti

EPISODET

4′ GOL VLLAZNIA! Gilman Lika e zhbllokon në Shkodër. Sulme që në fillim nga shkodranët, me Hasanin që nxjerr Likën të vetëm në zonë dhe mesfushori me të majtën nuk gabon, përballë Spahos. Fillim perfekt!

16′ Lushnja humbet një rast kolosal për të barazuar! Depërtim i Pepës nga e djathta e sulmit, kros perfekt dhe Fatjon Sefa me kokë, vetëm pak metra larg vijës fatale, çon topin në duart e Selimajt! E pafalshme.

27′ GOL VLLAZNIA. Atsina niset nga mesfusha, nuk ka pozicion jashtë loje. Sulmuesi futet në zonë dhe Marku nga pas e ndal me faull. Penallti e dukshme, karton i verdhë për Markun. Nga pika e bardhë Gocaj shënon qetësisht!

35′-38 Çinari humbet shansin e artë për të shënuar golin e tretë. Qendra e mbrojtjes lushnjare gabon, Çinari del i vetëm me Spahon dhe tenton një trajektore mbi portierin, por topi shkon mbi traversë! Pak momente më vonë sërish Çinari në zonë godet dhe Spaho eviton golin me këmbë. Në minutën e 38-të sërish Çinari godet me kokë në zonë, por paksa mbi traversë, pas krosit nga Hasani.

59′ GOL VLLAZNIA Pas shumë minutash dominim nga Vllaznia, Lushnja gjen golin e shpresës. Një goditje dënimi e fituar në pozicion qendror jashtë zone, Meto gjuan bukur dhe topi depërton në barrikadë dhe gol.

73′ E pafalshme për Vllazninë. Atsina vrapon nga porta në portë dhe pas një kombinimi me Çinarin, del i vetëm me Spahon dhe nuk arrin të shënojë, pasi portieri lushnjar devijon në këndore.

82′ Atsina e tepron. Merr top në kundësulm, vërshon drejt portës, del i vetëm me Spahon dhe gjuan vetë, me Spahon që grushton. E pafalshme, Atsina kishte pranë tij dy lojtarë shkodranë, krejt të vetmuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *