Vllaznia bën hap fals, Tirana e befason!

0

 

Vllaznia – Tirana 1-3 (0-1)

(18-25, 25-23, 20-25, 16-25)

Vllaznia: Miloti, Çekini, N.Qafarena, Taflaj, A.Qaferana, K.Kola. R. Kola (L)/Jukni, Lloshi, Tatar, Gjoklaj, Preka, Lloshi Trajner: A.Kalaja

Tirana: Xhija, Lundra, Pepa, Ferhati, Rama, Kula, Kasemi(L)/Ndoni, Arapi, Xhabrahimi, Gega, Kupi Trajner I.Koja

Gjyqtarë: A.Shehu, E.Zenullari (Tiranë)

Asistentë: Ç.Kojku, L.Nurçe (Tiranë)

Gjysëmfinalja e parë e fazës së Plej-Ofit në volejboll për meshkuj, Vllaznia-Tirana, takim ky i luajtur mbrëmjen e së martës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, është mbyllur me fitoren 1-3 për skuadrën bardheblu. Një hap ky i gabuar që bën skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, e cila nuk arrin të shfrytëzojë faktorin fushë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se tifozeria vendase nuk nguroi ta mbështeste skuadrën kuqeblu gjatë të gjithë ndeshjes. Por përpos një seti të vetëm, atë të dytin që e fitoi me shifrat e ngushta 25-23, setet e tjerë zhgënjimi ishte jo i vogël në fushën e lojës për volejbollistët shkodranë. Në lojën e kuqebluve patjetër që ka ndikimin e vetë negative mungesa e Ditmir Rrashketës, një prej volejbollistëve më të mirë të Vllaznisë dhe kombëtares së Shqipërisë, i cili për arsye dëmtimi e ndoqi nga tribunat e spektatorëve. Megjithatë në përbërjen e skuadrës kuqeblu ka volejbollistë të tjerë mjaft të talentuar me të cilët tekniku Kalaja ka pretendime reale për arritjen e suksesit të fitimit të trofeut. Sipas specialistëve të volejbollit shkodran, që e ndoqën ndeshjen prej së afërmi, skuadra kuqeblu duket se ka një ngërç serioz për ndeshjet që luan brenda. Atje ku, nga dëshira dhe ana emocionale e ngarkuar për të bërë më të mirën përpara tifozëve të saj, nuk arrin të dalë në lojën e saj më të mirë. Pikërisht një gjë e tillë sipas tyre e penalizoi Vllazninë edhe në finalet e Kupës së Shqipërisë duke u eleminuar që në gjysëmfinale. Megjithatë, jo vetëm specialistët e volejbollit shkodran, por edhe vetë volejbollistët, protagonistët e skuadrës kuqeblu, me në krye trajnerin e tyre Artan Kalaja, premtuan dhe janë të bindur se në gjysëmfinalen e dytë ato do të dalin fitues për çuar kualifikimin në finale me ndeshje të tretë, sërishmi në Shkodër. Nga ana tjetër bardheblutë, të drejtuar me kompetencë nga Ilo Koja, që me ardhjen e tij në krye të skuadrës ka futur një frymë të re, jo vetëm në aspektin e nivelit të lojës për sa i përket anës teknike dhe taktike, por sidomos edhe frymën e grupit, gjë që reflektohet jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, ka bërë gjithçka mirë. Tirana, edhe pse u mund pak ditë më parë po në “Qazim Dervishi” nga Vllaznia me set final, demonstroi një formë sportive dhe nivel shumë të kënaqshëm cilësor, paraqitje të cilën e shfaqi edhe në përballjen e mbrëmshme për betejën e parë gjysëmfinaliste të fazës së Play-off. Fitorja 1-3 në transfertë është një hap shumë pozitiv për Tiranës, por për teknikun Koja kualifikimi vijon të jetë i hapur. Ndaj, për këtë arsye, përballja e së premtes në kryeqytet, Tirana-Vllaznia pritet me shumë interes.

Artan Kalaja – “Ishte një ndeshje që nuk e prisnim të përfundonte në një mënyrë të tillë. E kishim përgatitur atë në mënyrën më të mirë për të marrë një fitore të mundshme, por nuk ia arritëm qëllimit. Nuk e kuptoj se çfarë ndodh me skuadrën tonë në takime të tilla. Mesa duket disa prej volejbollistëve tanë kanë neglizhuar duke e pasur mendjen tjetër kund, gjë e cila duket se na dëmtoi shumë dhe bëri që ndeshja të humbet. Gjithsesi kemi ndeshjen e dytë dhe shpresojmë të marrim një fitore sepse edhe më parë gjatë kampionatit kemi fituar në kryeqytet”.

Ilo Koja – “Mund të them se ndaj Vllaznisë nuk e patëm aspak të lehtë. Ajo është një skuadër e mirë dhe e vështirë për ta mundur brenda fushës së saj. Gjithsesi skuadra e jonë ishte e përqendruar totalisht për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë e treguan me vendosmërinë e tyre në fushën e lojës. Jam i kënaqur që ato i zbatuan shumë mirë detyrat që i dhashë duke bllokuar sulmet e kundërshtarit dhe duke u mbrojtur mirë gjë e cila na dha fitoren. Shpresoj që të fitojmë dhe ndeshjen e dytë tashmë në fushën tonë dhe të jemi në finale për titull kampion”

Gaspër Marku

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.