Vllaznia B imiton ekipin e parë, Kraja falënderon Çinarin e Krymin

0

Golat e Çinarit dhe Hajdarit i japin tre pikë të rëndësishme kuqebluve të B-së dhe nxjerrin lezhjanët nga pretendimet për kreun

 

Vllaznia B – Besëlidhja        2-0
Shënues: Çinari 27, Hajdari 51’
Vllaznia: Vjerdha, Ruqi, Dyca (Hallunaj 85’), Pusi(Kushi 90’), Bega, Hyseni, Balaj, Hajdari(Kukaj 90’), Krymi, Çinari, Hotaj. Trajner: E. Kraja. (Në dispozicion: Hasani, Djepaxhia, Kola, Tula).
Besëlidhja: Bajri, Cama, Erkoçdeviç, Dibra, Met’hasani, Frroku (Miloti 55’), Bajiç, Konte, Ndreca, Hasanaj, Kamara. Trajner G. Lani. (Në dispozicion: Jaku, Toma, Shquti, Zhejani, Dushaj, Prendi).
Gjyqtarë: O. Yzeiraj, E. Pashaj, N. Rrapaj (Patos), S. Greca (Lushnjë)
Vëzhgues: S. Bogdani (Durrës)
Delegat: A. Mone (Tiranë)
Kartonë të verdhe: Çinari 30’, Bega 72’ / Dibra 40’

Gaspër Marku
Kuqeblutë e Vllaznia B janë rikthyer tek fitorja. Një fitore që i mungonte prej kohësh dhe që në fakt kur vjen edhe përballë një skuadre pretendente për në Superiore si Besëlidhja bëhet edhe më e bukur. Kuqeblutë e B-së zbriten në fushën e lojës mjaft të mobilizuar për të marrë një rezultat pozitiv, të cilën në përfundim të gjithë takimit e arritën me mjaft merite me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë – Kërcënimi nga ana e miqve përmes rastit të Bajiçit në minutën e pestë, la të kuptohej se lezhjanët erdhën me pretendime për të marrë një fitore që do t’i jepte mundësinë të vijonte rivalitetin me krutanët për synimet e kalimit në Superiore. Por, nga ana tjetër skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Kraja, në gjirin e së cilës këtë radhë kishte edhe futbollistë nga skuadra e parë, ndër të cilët spikatnin Krymi dhe Çinari, pas minutës së 15-të merr “frenat” e lojës në dorë dhe pas disa ngulmimeve drejt portës lezhjane që mbrohej nga portieri shkodran Bajri arrin të shënojë me anë të Eraldo Çinarit. Mesfushori sulmues i Vllaznisë, bën gjithçka mirë në minutën e 27-të kur paksa jashtë zonës së rreptësisë lëshon një të majtë potente duke tundur rrjetën e portës mike. Minutat në vazhdim janë sërish nën diktatin e Vllaznisë, por rezultati nuk ndryshon duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0.
Pjesa e dytë – Vllaznia B vazhdon të luajë mirë edhe në pjesën e dytë, madje, falë kualiteteve që kë në fushën e lojës, epërsia ndaj kundërshtarit është edhe më e madhe. Krymi, që ka në krah shiritin e kapitenit si dhe Çinari vijojnë të jenë për 90-të minuta në fushën e lojës duke treguar forcë dhe karakter. Ndërkohë, nga ana tjetër, është Hajdari, edhe ky i ardhur nga skuadra e pare që në të 51-tën minutë shënon golin e dytë duke e mbyllur përpara kohe ndeshjen. Themi kështu, sepse minutat në vazhdim flasin vetëm për Vllazninë B përballë një Besëlidhje apatike. Madje, nëse Çinari do të ishte pak më i kujdesshëm mund ta trefishonte avantazhin e kësaj ndeshje. Gjithsesi, edhe me një 2-0 dhe përballë një skuadre të mirë organizuar si Besëlidhja, mjafton që në adrese të kuqebluve të B-se të shkojnë përgëzimet, vlerësimet si dhe duartrokitjet nga ana e sportdashësve shkodranë.

Pas ndeshjes…

E. Kraja, trajneri i Vllaznisë B: “E gjithë skuadra e kishte mendjen edhe në Lushnje, ku natyrisht fitorja e Vllaznisë së Superiores na ka gëzuar po aq edhe suksesi ynë. Përgëzoj edhe Çinarin e Krymin që luajtën me ne. Shpresojmë që FSHF-ja, mos t’i lërë në një ditë ndeshjet e dy Vllaznive”.

G. Lani, trajneri i Besëlidhjes: “Normal që ishte një rezultat i papritur, pasi kishim ardhur me objektivin e marrjes së tri pikëshit. U goditem nga një gol aksidental në fillim në një distance të largët, dhe pastaj skuadra sikur doli nga detyrat. Mund të them se disa lojtarë janë të papërgjegjshëm për fanellën e Besëlidhjes. Rrezikojmë edhe vendin e pestë me këtë humbje që pësuam këtu në Shkodër”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.