Vlerësimet për Jupin që ka drejtuar U-21 e Shqipërisë: Ka dërguar më shumë Skënder Gega!

Një brez i artë është ai i Shqipërisë U-21 me trajnerin Alban Bushi.  Shumë elementë e kanë bërë hapin e madh te Kombëtarja A, ndërsa edhe të tjerë janë të gatshëm për të kaluar te kuqezinjtë që drejton nga Reja.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, Redi Jupi që ka drejtuar më herët Shpresat e Shqipërisë ka folur në lidhje me këtë temë. Duke u nisur nga koha kur ka drejtuar kuqezinjtë e vegjël, Jupi pas komplimentave të marra për punën e bërë, u shpreh me modesti se trajneri Skënder Gega ka dërguar më shumë lojtarë te Kombëtarja A.

“Shiko, duhet të falenderoj profesor Përparim Kabon për vlerësimet e tij për mua. Por më duhet të them se në kohën e Skënder Gegës janë dërguar më shumë lojtarë te Kombëtarja A, pasi ky është edhe qëllimi. Pa harruar edhe këtë periudhën e Alban Bushit, që ka një brez të artë. Megjithëse nuk kemi pasur rezultate pozitive së fundmi, gjenden lojtarë të prespektivës që po dërgohen në Kombëtaren A”, u shpreh Jupi. /Sport Ekspres/