“Vitin tjetër shkruajmë histori”, Tavo zbulon lëvizjen surprizë të Luftëtarit

Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, ishte i ftuar në emisionin “E Hëna Sportive” në “RTSH Gjirokastra”, ku bëri një analizë të plotë të sezonit të skuadrës gjirokastrite. Ndërkaq, numri një i Luftëtarit shpalosi dhe plane ambicioze për të ardhmen.

SEZONI – “Nuk ndihem komod që skuadra diskutoi mbijetesën. Vitin e kaluar ishim në Kupat e Europës, ndërsa këtë sezon për shkak të gabimeve tona përfunduam në këtë situatë. Të them të drejtën rezultatet e fundit më kanë mërzitur”.

KOSTIÇ DHE MEZANI  “Në fillim morëm dy trajnerë që “CV” të pasur, ne prisnim që ata të bënin çudi te Luftëtari, por nuk ndodhi kështu. Pastaj i besuam Gentian Mezanit, ai bëri një deklaratë të papërgjegjshme pas humbjes 5 – 1 dhe u detyruam ta largojmë Mezanin. Kur gjenerali dorëzohet, ushtarët demoralizohen, na u ndesh  të ndërhynim. Unë nuk e kisha parë, por një miku im më mori në telefon dhe më shpjegoi se ai kishte thënë se ekipi do të binte nga Kategoria ”.

AHMATAJ – “Të themi të vërtetën ai bëri një punë shumë të mirë, duke mbledhur ekipin. E mora vendimin për ta pezulluar pas ndeshjen me Kukësin për shkak se kisha dyshime për ndeshjen për Tiranën. Për këtë do flas më gjerë kur të mbarojnë këto dy ndeshjet. Edhe për futbollistët e pezulluar do flas pas ndeshjes me Partizanin, pasi nuk dua të hap plagë”.

ALEKSI DHE XHEKSON – “Albano Aleksi e kishte në kontratë që dy muaj para se t’i mbaronte marrëveshje që të besonte me ne, për kërkesat e tij. Ai nuk pranoi asnjë nga telefonatat e mia. Me Xheksonin do të diskutojmë për vazhdimësinë, gjithçka mund të arrihet”.

E ARDHMJA – “Luftëtari është një skuadër që do të shkruajë histori në kampionatin shqiptar. Do të shikoni lojtarët që do të vijnë, disa prej tyre do të jenë të Kategorisë Superiore, por edhe kampionateve jashtë. Së shpejti do të kemi dhe ekip femrash të Luftëtarit. Jemi duke mbyllur një kontratë me një skuadër të njohur në Europë që është thuajse çdo vit në Champions League. Me këtë marrëveshje ata do të sjellin eksperiencën e tyre dhe në të mirë të akademisë sonë. Nuk mund ta them akoma emrin e klubit. Do ta bëjmë ekipin shumë më të fuqishëm”.

PROBLEMET FINANCIARE – “E vërteta është që kemi pasur probleme me financat. Kemi shlyer shumë detyrime te vjetra, që nga Milinkoviç, Toledo dhe Bojom. Gjithsesi, klubi ka arritur të shesë katër lojtarë deri më tani dha na kërkojnë edhe dy lojtarë të tjerë. Këtë vit kemi arritur të dalim me fitim. Nuk më shkon në mendje kurrë për të shitur Luftëtarin. Ky ekip më dhimbset. E kam pasion, unë kam bërë 19 kilometra në këmbë për të parë klubin në kohën në Bonit, Kallucit dhe Brahos”.

BORDI DREJTUES – “Do krijojmë një bord të ri drejtues. Me 11 veta, ku do të jenë pjesë intelektualë të zonës dhe njohës të sportit. Çdo vendimmarrje do të merret aty”.

E ARDHMJA E RUÇIT – “I respektoj të gjithë futbollistët. Ruçi për shembull është një djalë shumë i mirë dhe profesionist. Ai ka dhe dy vite kontratë me ne, por më tha shpjegoi se kishte një hall familjar dhe unë e mirëkuptova. Kështu si veproi Ruçi të vepronte dhe Aleksi, ai nuk i përgjigjej as telefonatave të mija. Nuk ja mohoj atë që ka dhënë në këto katër vite, gjithsesi nuk është i pazëvendësueshëm”.

LOJTARËT NË FUND TË KONTRATËS – “Nga Luftëtari nuk do iki asnjeri. Ramadani është një njeri i veçantë. Të gjithë çunat kanë dhënë shpirtin për Luftëtarin. Me çdo futbollist që i mbaron kontrata do mundohemi të gjejmë marrëveshje për të vazhduar”.

PAGAT – “Presidenti i Tiranës më pyeste gjatë ndeshjes për pagat e lojtarëve tanë dhe unë ia thosha pa mbajtur sekrete. Çuditesha kur më tha se te Tirana, Ngo merrte 8500 euro në muaj, ndërsa kishte lojtarë të tjerë që merrnin nga 6500 euro dhe 6000 euro. Çdo lojtar te Luftëtari do marrë aq sa i takon”.

ELIMINIMI NGA KUPA – “U zhgënjyem shumë. Nuk na takonte ne që të pësonim pesë gola. Nuk i kishim pësuar gjithë sezonit. Nuk është se jam mosmirënjohës që na shpëtoi Kategoria, përkundrazi nëse do të fitonte Kastrioti do të ishim ne në rrezik, ne na shpëtoi barazimi i tyre. Kemi dhe dy ndeshje të vështira ndaj Skënderbeut dhe Partizanit, kjo nuk qëndron”.

AKADEMIA – “Kur u takova me presidentin e ekipit që po bisedojmë për marrëveshjen më përmendi fillimisht për akademinë. Një ekip duhet të nxjerrë nga akademia të paktën një ose dy lojtarë në vit. Akademia do të jetë pikë kyçe e projektit tonë të ardhshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *