Viti i Partizanit, titulli kampion për vajzat e kuqe

0

64 vite pritje, skuadra e Roland Tares në majat e rrjetës shqiptare. Thyhet hegjemonia e Barletit Volej, që për katër vjet s’njihte kundërshtar

Gjergj Vyshka

Barleti Volej – Partizani 1-3 (0-3)

(25-23, 23-25, 19-25, 12-25)

Barleti Volej: Am.Prenga, Gjermeni, Pira, M.Tuci, Braho, Picaku, Shabaku (L)/Agolli, Brati, Xhelilaj, Çaushaj, Neli Trajner: H.Gurabardhi

Partizani: E.Tuci, Xheka, Nezaj, Matraku, Medina Shakoa Uinderlis Gisel, Feuerharmel De Oliveira Larisa, Fagu (L)/Shera, Hasku, Blloku, Meçorapaj, Saliaj (L) Trajner: R.Tarja

Gjyqtarë: T.Zguri, Ko.Gjoka (Tiranë)

Asistentë: K.Tota, L.Nurçe (Tiranë)

Partizani është kampion i Shqipërisë në volejboll për femra, kjo pas plotë 64 vitesh. Ka mundur Barleti Volej, ndërsa për të pestë herë radhazi, një herë në Kupën e Shqipërisë dhe katër herë në kampionat, fiton me të njëjtin rezultat 3-1. E ky mund dhe duhet të quhet plotësisht viti i Partizanit, sepse theu hegjemoninë e Barletit Volej, që kishte të paktën katër vjet që nuk njihte kundërshtar. Në fund të fundit edhe volejbolli shqiptar i femrave ka nevojë për ndërrim fytyre. Ndaj quhet sukses që Partizani sot është kampion i Shqipërisë në volejboll për femra, ndërsa do të jetë nder nëse do të marrë pjesë dhe në Kupat e Evropës, atje ku ekipet e vajzave mungojnë prej gjashtë vitesh.

Ndeshja

Barleti Volej mundohet të bëjë të vështirin, ndërsa arrin që të marrë setin e parë në pikët e fundit 25-23. Madje kryeson dhe në të dytin përgjatë gjithë kohës, ndërsa Partizani nuk arrin të rritet në nivelin e kërkuar. Nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë jo vetëm të huajat De Oliveira dhe Shakoa, por as Tuci e Nezaj, apo dhe të tjerat. Për rrjedhojë me shumë vështirësi Partizani e ka marrë setin e dytë 25-23. Dhe këtu Partizani lirohet, ndërsa e fiton setin e tretë 25-19. Dhe për t’i vënë vulën suksesin shërben seti i katërt, që e ka fituar me rezultat 25-12. Kaq mjafton dhe në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” festa është tërësisht e kuqe. Dhe e meriton Partizani një aktivitet të tillë

Ceremonia

Në ceremoninë e dorëzimit të kupës për Partizanin kanë qenë të pranishëm presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, anëtari i kryesisë Ilia Vasili, si dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola. Sapo kapitenia e Partizanit, Esmeralda Tuci, ka ngritur trofeun, të gjithë kanë shpërthyer nga gëzimi. Festë, thirrje, foto, ndërsa gjithçka ishte në mbretërinë e Partizanit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here