Viti i kuq i Moxhit, shumë hije e pak dritë

Një vit më parë prezantohej me bujë, duke premtuar ndërtimin e një klubi ndryshe, me mentalitet dhe synime europiane. Gjithçka është harruar, mbahen mend vetëm Juliano me shokë

Kur në fund të muajit prill vitin e shkuar Partizani lajmëronte se Luçiano Moxhi do të bëhej zyrtarisht drejtues i kuq, edhe pse pa kontratë punësimi për historitë e vjetra të Moxhit në Itali, të gjithë u habitën. Fundja, është futboll shqiptar, këtu është risi edhe kur vjen ndonjë lojtar pak më cilësor se këta tanët, imagjinoni Moxhin, një që simbolizonte suksesin në Itali në vitet ’90-2000, deri në shpërthimin e Calciopoli-t të famshëm. Edhe tani Moxhi thotë se ishte një komplot ndaj tij dhe Juventusit, ndërkohë që shumë njerëz e besojnë, por kjo është histori që nuk na përket.

KËSHILLTAR PA PORTOFOL – Që në fillim, Moxhi u prezantua si këshilltar i presidentit të Partizanit, Gaz Demit, i cili ka vite që zhgënjehet nga rezultatet e skuadrës së tij. Prezantimi ndodhi më 27 prill, një ditë para derbit kundër Tiranës, ndërsa Partizani njoftonte: ““Klubi njofton arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Luçiano Moxhin , ish drejtues i klubeve më prestigjoze në arenën ndërkombëtare. “Konsulenca e Z. Moxhi te Partizani do të jetë prezente për 3 vitet e ardhshme dhe do të konsistojë në një bashkëpunim në të gjitha fushat, specifikisht të atyre teknike, organizative dhe marketing”. Nga dënimi në Itali, me efekt anembanë botës, Moxhi gjeti parajsën në Shqipëri, aty ku ishte i lirë të vepronte, por nuk i jepte llogari askujt, pasi fundja nuk paguhej. “Do të marr diçka vetëm nëse Partizani ka sukses. Është një marrëveshje xhentëlmenësh”, deklaronte në atë kohë Moxhi, edhe pse pakkush besonte se ai do të punonte falas, sa për miqësi me Demin. Gjithsesi, pagesa e tij nuk mund të deklarohej, për arsye që dihen.

SYNIMI AMBICIOZ – “Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, falë eksperiencës dhe aftësive që Moxhi zotëron, do t’i mundësojë klubit ngritjen në nivele të larta suksesi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare”, shkruante në atë kohë Partizani në njoftimin për mediat. Në realitet, askush nuk e kishte të qartë se ç’do të bënte italiani i njohur, nëse do të këshillonte Demin në lidhje me organizimin e klubit, do të këshillonte trajnerë e lojtarë, apo do të aktivizohej vetë në merkato, ashtu si bënte në kulmin e karrierës së vet. Gjithsesi, Moxhi nuk është më një adoleshent dhe udhëtimet Itali-Shqipëri vështirësonin gjithçka, ndaj ishte normale që më shumë të bënte orientuesin, si mund të ndërtohet një klub niveli, një “Juventus në miniaturë”, siç deklaroi Moxhi verën e shkuar. Nëse ia dilte mbanë, Skënderbeu me shokë duhej të dridheshin…

MERKATO E DËSHTUAR – Në verë Moxhi solli nga Italia drejtorin sportiv Antonelo Preiti, i cili do të merrte përsipër merkaton dhe lëvizjet e Partizanit në treg, natyrisht me “bekimin” e Moxhit. Ky i fundit vendosi edhe për trajnerin e ri, duke afruar nga Italia Mark Julianon, një personazh i famshëm për penalltinë ndaj Ronaldos dhe për besnikërinë ndaj Moxhit, me të cilin kishte punuar te Juventusi, si dhe kishte drejtuar disa skuadra të gjetura nga “Big Luciano”. Asnjë sukses madhor në Itali, por shumë uri për të bërë karrierë, ndaj Juliano dukej një gjetje interesante, duke qenë se ashtu si Kristian Panuçi, për shembull, kishte punuar në karrierën e vet si futbollist me shumë trajnerë të njohur. Gjithsesi, gjithçka rezultoi një dështim: Juliano dhe Preiti afruan shumë lojtarë nga Italia, të gjithë rezultuan pa asnjë vlerë për Partizanin, duke u larguar pa mbërritur dhjetori, ashtu si Juliano, i cili në nëtor bëri gati valixhet dhe u largua duke e lënë Partizanin afër zonës së ftohtë, pa lojë e pa ide. U kthye Starova, i zakonshmi “Bobi”…

LUFTË PUSHTETESH – këto vitet e fundit Partizani ka përbërë lajm mbi të gjitha për lëvizjet pa fund në kupolën drejtuese, nga trajneri deri tek drejtorët e shumtë që vërtiten si satelitë rreth Gaz Demit dhe realisht askush nuk e ka të qartë çfarë kanë bërë dhe bëjnë. Kur dashuria për Moxhin nisi të zbehej dhe u kuptua që magjistari italian nuk ishte ai i viteve ’90, te Partizani doli në skenë Olsi Rama. Vëllai i kryeministrit për disa, thjesht Olsi për disa të tjerë, Drejtor i Përgjithshëm i Partizanit prej dhjetorit. Erë e re, sjellje ndryshe, plane afatgjata, strategji të reja, të gjitha hartuara nga Rama. Po Moxhi? Aty vërdallë, por realisht asnjëherë vendimtar si në fillimet e aventurës shqiptare. Largimi i Julianos ishte goditje e rëndë, ashtu si gjithë lojtarët e ardhur nga Italia, duke përjashtuar të pafatin Edgar Çani, ndërkohë që largimi i Sulejman Starovës dhe tërmeti i janarit te Partizani, me shumë afrime e largime, treguan që Moxhi nuk vendoste më në klub.

DIVORCI PA LETRA – Përderisa erdhi dhe nuk firmosi asnjë kontratë financiare, edhe largimi nuk është se do bëhej me ndonjë ceremoni pompoze. Moxhi, siç e konfirmoi edhe vetë Starova pas largimit nga Partizani, i kishte rrëfyer se ishte lodhur nga Partizani dhe Shqipëria. Në 6 muajt e fundit ka ardhur sa për një kafe në Tiranë, si për të thënë që “jam ende këtu”, por realisht askush nuk e llogarit më si funksionar të lartë të Partizanit. Miqësia me drejtuesit mund të mbetet shumë solide, këshillat janë të mirëpritura, por te Partizani vendos Olsi Rama. Epoka Moxhi u mbyll pa nisur mirë, Juventusi në miniaturë nuk u bë kurrë realitet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *