Viti (a)normal i Flamurtarit, spektaklin e dhuron… Sinan Idrizi!

Viti 2018 ka qenë absurditet normal për Flamurtarin, një vit i hedhur poshtë, mes investimeve madhore, parave të papaguara, premtimeve të mëdha dhe dështimit konstant për të hedhur hapin vendimtar drejt majës.

Në Vlorë jetojnë me lavdinë e së shkuarës dhe duan të shohin futboll të madh në stadium, për të qenë të pranishëm. Realisht, ka disa vite që shpresat që kjo të ndodhë ekzistojnë, të paktën në vjeshtë.

Më pas, nis pikiata, vonesat në pagesa, dëmtimet, ndonjë problem i vogël me arbitrat dhe…krizë! Kjo ndodhi edhe këtë vit, sepse në janar Flamurtari ishte në pozita perfekte, rivali kryesor i Skënderbeut për titullin kampion, me synim ndonjë përforcim që do të vlente kapërcimin cilësor që do të afronte majën.

Shpëtim Duro tentoi, më kot, të bindte Dejvi Bregun të kthehej në Vlorë. Nuk ia doli mbanë dhe i ktheu sytë nga Muarem Muarem, një mesfushor ofensiv që ka një CV mahnitëse, por në bregdetin vlonjat nuk funksionoi. Nuk ishte faji i tij, pati probleme fizike, nuk i eci mbarë, por edhe Flamurtari u fundos pa ardhur pranvera. Lëvizjet e tjera në merkato rezultuan dështim, dëmtimet u bënë të papërballueshme dhe filluan edhe problemet e zakonshme me pagat, si në fund të vitit të shkuar, apo si në sezonet e tjerë.

Sinan Idrizi, “mbreti” pa fron i Flamurtarit, ka një qetësi olimpike që ndonjëherë të irriton dhe nuk e vriste mendjen për asgjë, as për rezultatet që nisën të përkeqësoheshin, as për gabimet e arbitrave që dukeshin qartë që kishin një prapavijë aspak të maskuar, për të ndalur vrapin vlonjat. Bosi kuqezi preferon filozofinë ndaj sharjeve dhe këtu bën dallim nga presidentët e tjerë në Superiore, por nga ana tjetër lojtarët nuk duan filozofi, tifozët nuk marrin vesh nga ironia e hidhur e Idrizit dhe FSHF nuk është se e vret shumë mendjen nga akuzat, direkte apo indirekte, fundja ka parë edhe më keq.

Nga fundi i sezonit, jo ndonjë çudi e madhe kjo, Flamurtari mori vesh se nuk shkonte dot në kupat e Europës, edhe sikur të fitonte titullin. Në fakt, ishte diçka që pritej, pasi gjyqet dhe borxhet e vjetra qëndrojnë si një hije e zezë mbi qiellin e stadiumit Flamurtari, ndërsa Idrizi me të drejte ankohet: “Nuk jam pronari i Flamurtarit, pse duhet të paguaj unë borxhet e bashkisë?”.

Verë e re, Flamurtar i ri. Duro kishte ikur që në pranverë, i pafuqishëm për të ndalur rrënimin, ndërsa kampioni i freskët Ilir Daja mori frenat e ekipit, herë entuziast e herë mosbesues. La Skënderbeun e sigurisë për të marrë Flamurtarin e pikëpyetjeve. Me sforcime të mëdha, u ndërtua një ekip vërtet cilësor, edhe pse me probleme, pasi disa lojtarë shkuan me vonesë në Vlorë dhe Elton Kale u bllokua nga Kukësi, për një problem të vogël kontrate, nga ata tipikët e Kukësit, e keni parasysh vetë (se kush dreqin i gënjen lojtarët se Kukësi falsifikon kontratat dhe FSHF nuk e vret mendjen).

Në shtator erdhi goditja e parë fatale: Skënderbeu fitoi duke shëtitur në Vlorë, stadiumi ishte plot dhe depresioni përfshiu tifozët. Brenda 90 minutash Flamurtari humbi 3 pikë, entuziazëm dhe tifozët, sepse më pas asnjëherë stadiumi nuk u mbush si atë mbrëmje të 17 shtatorit.

Ishte vetëm fillimi i problemeve, sepse në kampin vlonjat nuk mjaftonte fakti që loja nuk po ngjitej aty ku duhej, por edhe problemet financiare nisën të rishfaqeshin. Nën zë, në Vlorë të thonë se disa lojtarë nuk janë likuiduar as për këstet e verës, apo ndonjëri ka para pa marrë nga sezoni i shkuar. Thashetheme, Sinan Idrizi këmbëngul se të gjithë lojtarët janë likuiduar, por nuk dihet për cilin e ka fjalën, sepse kur i takon futbollistët, varin kokën të dëshpëruar.

Viti u mbyll me 3 fitore në 5 ndeshje, kreu i renditjes është vetëm 9 pikë larg dhe në teori 18 ndeshjet e mbetura mjaftojnë për të bërë diçka të madhe, duke kapur të paktën vendin e tretë, por nga e thëna në të bërë, është në mes… paraja!

Idrizi ka premtuar pagat, dha edhe një bonus pas ndeshjes kundër Tiranës, ndërsa ka premtuar edhe 2-3 përforcime “bombë”. Ilir Daja këto përforcimet ndoshta nuk i do fare, preferon që skuadra të jetë e qetë mendërisht, me barkun plot, për të luftuar denjësisht deri në fund të sezonit. Pastaj bilanci bëhet në fund: ndoshta arbitrat do të sillen mirë, ndoshta dëmtime nuk do ketë, ndoshta licencimi për në kupat e Europës do arrihet më në fund. Ndoshta… varet nga forma e Sinan Idrizit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *