Vitet nuk ia ndryshojnë sjelljen, Balotelit i heqin patentën në Zvicër

Mario Baloteli është kthyer sërish protagonist, por këtë herë për sjelljen e tij jashtë fushës së lojës. Lojtari i Breshias ka hasur gjithnjë në probleme për shkak të karakterit të tij, që shumë persona mendojnë se i ka ndikuar së tepërmi për keq në karrierën e tij.

Futbollisti italian ka thyer rregullat e qarkullimit rrugor në shtetin zvicerian dhe për këtë arsye është ndëshkuar nga autoritetet vendase me pezullimin e patentës së tij për tre muaj në Zvicër, si dhe me një gjobë prej 100 frangash. Heqja e patentës do të jetë e vlefshme për periudhën 31 dhjetor 2019 deri në 30 mars të vitit të ardhshëm. Ndërkohë ngjarja ka ndodhur në Ticino në fund të muajit tetor, por lajmi është përcjellë tani përmes gazetës zyrtare të kantonit për arsyen se në Zvicër nuk dinin vendbanimin aktual të sulmuesit, pasi mësohet se Baloteli i ka dhënë policisë adresën e banimit në kohën kur jetonte në Francë./Sport Ekspres/