“Virus i poshtër dhe kopil”, drejtori sportiv i Fiorentinës tregon eksperiencën e vështirë: Infektova familjen, pata vjehrrën në spital

Italia ka qenë vatra e parë e Covid-19 në Europë, duke u treguar edhe vendeve të tjera pasojat që mund të vijnë nga ky virus. Ndër të prekurit nuk bënin përjashtim as ata nga bota e sportit, ndërsa një prej tyre ka qenë edhe drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade. Ky i fundit ka tejçuar Koronavirusin edhe te familjarët e tij dhe kjo ka qenë një nga pjesët më të vështira të përballjes me të. Një virus bastard dhe i poshtër është mënyra që ka zgjedhur Prade për të emërtuar virusin vdekjeprurës, ndërsa tregon eksperiencën e vështirë që ka kaluar përgjatë kësaj kohe.

“E solla virusin në shtëpi, ia kalova gruas, vajzës, kunetërve dhe nipërve e mbesave të mia dhe sidomos vjehrrit e vjehrrës, të cilët ishin shtruar në spital për 30 ditë. Momenti më i keq është kur e shihni se e gjithë familja juaj sëmuret pak nga pak për shkak të këtij virusi të poshtër dhe kopil. Nga përvoja personale them që kjo situatë sjell një ndryshim të rëndësishëm për jetën tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm me masat paraprake dhe distancat, duke shmangur grumbullimet. Është një mënyrë e re e jetës sepse do të duhet të jetojmë me këtë sëmundje dhe do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm derisa të gjejmë një vaksinë“, ka përfunduar drejtori sportiv i Fiorentinës për “Sky Sport“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *