“Viroza” e Laçit ka përfunduar në Superiore, kambanat e alarmit po bien për Partizanin

Superiorja do të nisë javën e katërt të saj pas pushimeve për ndeshjet  Kombëtareve dhe ekipet do të përpiqen të analizojnë këto tre javë të para të luajtura, për të përmirësuar lojën e tyre. Disa prej ekipeve janë parë jashtë formës së zakonshme, ku përfshihet edhë skuadra e Laçit. Këta të fundit kanë marrë vetëm një pikë në këto javë të para, ndërsa sezonet e shkuara e kemi parë gjithnjë në luftë për kompeticionet europiane.

Por nëse analizojmë ndeshjet e fundit të këtij ekipi, shohim se nuk kemi të bëjmë me probleme serioze brenda skuadrës apo një rënie drastike të nivelit të tyre. Laçianët erdhën në kampionat pas ndeshjeve që luajtën në “Europa League”, ku kishin kundërshtar izraelitët e Hapoel Beer Sheva, me të cilët arritën në barazonin 1-1 në Shqipëri, por u eleminuan pas asaj humbje minimale 1-0 në Izrael.

Ndeshje lodhëse këto për kurbinasit, duke pasur parasysh kundërshtarin që kishin përballë, kompeticionin ku po merrnin pjesë, si dhe faktin se këto ndeshje vinin pas një sezoni të gjatë e të lodhshëm. Për sa i përket Superiores, Laçi ka humbur  minimalisht në Shkodër ndaj Vllaznisë, me një gol që erdhi nga distanca dhe jo si një çarje e mbrojtjes. Për të shkuar më pas në duelin me Skënderbeun, ku kaluan të parët në avantazh, por rezultati u përmbys në shifrat 1-2 për juglindorët falë eksperiencës së trajnerit Daja dhe një Skënderbeu që ishte në një ditë mjaft të mirë.

Ndeshja e fundit ishte ndaj Kukësit, që shihen edhe si favoritë për ngritur titullin në këtë sezon, gjë që e kishin treguar dy javët e para me fitoret dhe lojën e tyre bindëse. Rezultati final do të ishte 1-1, me të dy ekipet që do të tundnin rrjetën me gola nga distanca pasi mbrojtja nuk shfaqi probleme. Starova do të shprehej se lojtarët mund të merrnin edhe më shumë, por një gjendje gripale dhe viroza kishte prekur shumë prej tyre.

Sfida e radhës do të jetë me Partizanin dhe kambanat e alarmnit bien për të kuqtë, që mund të provojnë të parët forcën reale të këtij Laçi. Pa harruar edhe sulmuesin Naubueze, që po arrin në gjendjen më të mirë dhe është i aftë të zgjidhë ndeshjen i vetëm. Nisur kjo edhe nga fjalët e futbollistit Abdurrahman Fangaj për “Sport Ekspres”:

“Nuk e kemi filluar në mënyrën më të mirë këtë kampionat, duke parë dhe pikët që kemi. Mendoj se ato gabime që janë bërë në ndeshje e kaluara do të analizohen dhe pastaj të rregullohen. Që ndeshjen e ardhshme do të shikoni atë Laç që jeni mësuar të shihni, pra në formën më të mire. Naubueze? Përderisa shfaq çdo ndeshje cilësitë e tij më të mira, padyshim është një zbulim që do të na ndihmojë shumë. Atë që e bën në ndeshje, e bën edhe në stërvitje.” /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *