Vioresin Sinani zgjidhet kryetar i Komisioni të Sportit

0

 

Ish-goleadori kuqeblu, premton një zë të fuqishëm në parlamentin e qytetit, në veçanti për futbollin për ta ngritur Vllazninë në nivelet e kërkuara

 

Gaspër MARKU

 

Në pritje të mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak, e cila është planifikuar për pasditen e kësaj të shtune, në mjediset e Bashkisë Shkodër ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë komisioni i sportit. Pesë anëtarët e propozuar nga grupimet politike në Këshillin Bashkiak, Renato Radoja i Partisë Socialiste, Vioresin Sinani i LSI-së, Filip Guraziu dhe Kristi Kola të Partisë Demokratike dhe Jetmira Kruja e Partisë Republikane në prezencë të sekretarit të Këshillit Bashkiak, Suel Hadri, fillimisht kanë bërë zgjedhjen e drejtuesve të grupit. Me propozimin e këshilltarit Radoja dhe të mbështetur nga anëtarët e tjerë, kryetar i komisionit të sportit në Këshillin Bashkiak Shkodër është zgjedhur, një nga figurat më të spikatura të futbollit shkodran dhe atij shqiptar në vite Vioresin Sinani, i cili emërohet në këtë detyrë si përfaqësues i LSI. Ndërsa nënkryetar është zgjedhur Filip Guraziu i Partisë Demokratike dhe sekretare Jetmira Kruja e Partisë Republikane. Me tre figura kaq të njohura dhe me shumë reputacion në fushën e sportit, Sinani në futboll si dhe Guraziu dhe Radoja në basketboll, përfshirë edhe anëtarët e tjerë, komisioni i sportit pranë Këshillit Bashkiak pritet të kontribuojë në mënyrën më të mirë për zhvillimin e sportit shkodran gjatë periudhës në vazhdim. Një gjë që nuk nguruan ta theksojnë edhe vetë të sapozgjedhurit në fjalën e tyre menjëherë pas konstituimit të forumeve drejtuese të komisionit përkatës.

Pas procesit të zgjedhjes së forumeve drejtuese, mbledhja ka vijuar me diskutimet e dy prej çështjeve më kryesore, ai i për miratimin e një fondi financiar për KF Vllazninë si dhe rreth kontratës dypalëshe që Bashkia Shkodër dhe FSHF pritet të firmosin për administrimin e stadiumit “Loro Boriçi” në diskutimet e të cilave u përfshinë edhe drejtuesit e klubeve, Neritan Kalamishi i futbollit dhe Mark Krroqi i shumësportëshit.

Vlerësimi i Sinanit – I pyetur menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, nga “Sport Ekspres” për misionin fisnik dhe shumë të rëndësishëm që i është ngarkuar, Sinani fillimisht preferoi të falënderoi dy figurat e tjera shumë të nderuara të sportit shkodran e më gjerë, këshilltarët dhe anëtarët e komisionit Radoja dhe Guraziu, të cilët e propozuan dhe i besuan postin e kreut të komisionit të sportit në këtë këshillë. Detyrë të cilën ai premtoi se do ta kryejë me përkushtimin më të madh, duke vënë gjithçka në dispozicion të zhvillimit të sportit shkodran në përgjithësi dhe sidomos futbollit, që po kalon një situatë aspak të mirë. Për këtë ai tha se është në dijeni të gjithçkaje që ka përfshirë Vllazninë ndaj nuk do të ngurojë të japë kontributin e tij maksimal si individ, por në të njëjtën kohë duke motivuar edhe kolegë e shokë të të gjitha përkatësive politike për të nxjerrjen e klubit nga kriza. Dhe, këtë pikë së pari do ta fillojë me mbështetjen e firmosjes së fondit financiar në lidhje me rrogat e prapambetura të futbollistëve si dhe firmosjes së kontratës së bashkisë me FSHF-në për administrimin e stadiumit “Loro Bori” pas përfundimit të punimeve rikonstruktuese të tij.

 

Parashikimi

 

Vllaznia-Tirana, për Viorin

do të fitojnë kuqeblutë

 

I ngacmuar nga “Sport Ekspres”, Vioresin Sinani flet edhe për sfidën e tre-katër ditëve më pas mes Vllaznisë dhe Tiranës. Dy ekipe me të cilat ai ka pasur rastin të luajë në karrierën e tij, duke koleksionuar trofe dhe suksese të rëndësishme si me fanellën kuqeblu ashtu edhe me atë bardheblu. Pasi shpreh kënaqësinë që Vllaznia arriti të marrë pikët e para shumë të vlefshme, sidomos në aspektin psikologjik, ish-kapiteni i Vllaznisë, që në statistika mban rekordin e numri të madh të golave të shënuar në vite nga një futbollist shkodran, është i mendimit se “kuqeblutë janë më favoritë në këtë ndeshje për të marrë fitoren e radhës në këtë ndeshje përballë një Tirane” që sipas tij udhëton drejt Pukës nën peshën e një përgjegjësie të madhe për marrjen pa tjetër të një rezultati pozitiv.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.