Vijnë edhe 4 te Vllaznia, vendimi në dorë të Cungut

Një portier dhe një mesfushor sulmues vijnë nga Zvicra. Një mesfushor i djathtë vjen nga Argjentina dhe një sulmues nga Gana, por me pasaportë italiane. Të gjithë në provë

Gaspër MARKU

Në Shkodër vazhdojnë testimet e futbollistëve për llogari të skuadrës kuqeblu. Tekniku Cungu dhe kolegët e tij, Maxhar dhe Dani, së bashku me drejtorin sportiv Zeka, presin dhe përcjellin kandidatë, që vijnë për të kërkuar një vend te Vllaznia. Por deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka bindur. Kjo pasqyrohet edhe në notat jo kaluese që u kanë vënë të gjithëve sa kanë ardhur. Të vetmit që kanë firmosur dhe që nuk kanë pasur nevojë fare për provë, janë atë të “shtëpisë”, shkodranët Edon Hasani dhe Gilman Lika, të cilët janë mirëpritur jo vetëm nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit, por edhe nga tifozëria shkodrane. Jo vetëm që janë shkodranë dhe të prodhuar e promovuar nga ky klub që në ekipet e moshave, por futbollistët në fjalë janë pjesë edhe e Superligës shqiptare, çka e bërë të qartë edhe vetë trajneri Cungu, duke thënë se vetëm ky kampionat i ka futbollistët e prekshëm në cilësitë dhe formën e tyre sportive, pasi aktivitetin e kanë zhvilluar në sytë e tyre. Ndërkohë, për pjesën tjetër të futbollistëve që vijnë nga jashtë, vështirësitë dhe problemet nga më të ndryshmet, e bëjnë shumë të vështirë mundësinë e avancimit në këtë pistë. Puna për të gjetur futbollistët e duhur vazhdon te Vllaznia dhe në seancën e së hënës, e para për këtë javë, kanë mbërritur plot katër futbollistë të rinj për provë. Ata u përkasin reparteve të ndryshme, duke nisur nga porta e deri te suli.
PORTIERI AZIZI – Enes Azizi quhet portieri i radhës, që mbërrin për provë te Vllaznia. I lindur në Zvicër, me origjinë nga Maqedonia, Azizi është 23-vjeçar, i gjatë 1.91 m. Ekipet me të cilët ai ka luajtur janë Dardania LS, Shkëndija, si dhe të rinjtë Rexhanas dhe PSG-së. Ai është vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit të portierëve, Avenir Danit, duke vijuar stërvitjen me sektorin e portierëve, përkrah dyshes Selimaj-Sherri. Këta të fundit janë dy portierë, që në fakt edhe pse vazhdimisht ballafaqohen dhe provojnë kërcënimet e vazhdueshme të portierëve jo të paktë që vijnë për provë, nuk duan t’ia dinë dhe kërkojnë të mbajnë me çdo kusht pozicionet që kanë. Gjithsesi, duhet pritur se cili do të jetë vendimi, që do të merret në ditët e ardhshme nga stafi në lidhje me portierin e sapo ardhur për provë, Enes Azizin, të dhënat e të cilit janë premtuese.
MESFUSHORI PANSARDI – Për llogari të krahut të djathtë të mesfushës, në provë ka mbërritur një futbollist argjentinas. Ai quhet Fakundo Nahuel Pansardi, 28 vjeç, 1.76 m i gjatë, futbollist i aktivizuar më parë me ekipet e Nueva Çikago dhe Kobreloa, ndërkohë që ka informacione se edhe në futbollin shqiptar ka provuar të testohet përpara se të vijë te Vllaznia. Për vlerat që do të paraqesë në fushën e lojës, do të vendosë stafi teknik, por në distancë duket pak e vështirë që ky futbollist ta bindë trajnerin Cungu, kjo edhe për faktin se për momentin ka në dispozicion futbollistë nën kontratë, vlerat e të cilëve nuk mund të anashkalohen. Vetëm ndonjë cilësi tejet e veçantë, që mund të prezantojë argjentinasi gjatë procesit stërvitor, mund të bëjë të ketë një vendim pro tij.
MESFUSHORI SHEHU – Ashtu si portieri Enes Azizi, edhe Loran Shehu, që i përket repartit të mesfushës, vjen edhe nga Zvicra, por është me origjinë kosovare. Nga sa bëhet e ditur, Shehu është 20 vjeç, i gjatë 1.80 m, i aktivizuar në kampionatet e Zvicrës, Greqisë dhe Italisë, kryesisht në ekipet e serisë D italiane Kazarano dhe më pas Dertona dhe Krousona në Greqi. Më tepër se sa mesfushor, Vllaznia ka nevojë për lojtarë që punojnë për vijën e parë të sulmit. Nëse Shehu mund të përmbushë preferencat e trajnerit Cungu, mund të jetë një alternativë për këtë repart.
QENDËRSULMUESI ATSINA – Çarles Atsina, një ganez me pasaportë italiane, është futbollisti që ka nisur provën që dje në kampin kuqeblu përkrah tre të tjerëve të ardhur për provë, si portieri Enes Azizi dhe mesfushori-sulmues Loran Shehu dhe mesfushori i djathtë, Fakundo Nahuel Pansardi. Ganezi është 28 vjeç dhe 1.83 m i gjatë, i përket pozicionit të qendërsulmuesit, një kërkesë dhe këmbëngulje e stafit kuqeblu për të gjetur njeriun e duhur për të mbuluar majën e sulmit, ku sezonin e kaluar luajtën Bakaj dhe i riu Hebaj, të dy të larguar, i pari në kërkim të një ekipi tjetër dhe i dyti në Slloveni. Të dhënat për ganezin me pasaporte italiane, Çarls Atsina për momentin janë optimiste. Në CV-në e tij thuhet se ka luajtur më parë me ekipe të tilla si Kapilan, FK Panevezis, TuS Ennepetal, CSV Bohum, AD Alkorcon, Virtus Verona, por që edhe në seancën e djeshme kishte momente të pëlqyeshme në veprimet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *