“Vij te Shqipëria për sfidë, jam i pasur!”, zbardhet biseda Sedorf-Duka!

Prapaskenat ekskluzive. Dy orë drekë dhe bisedim i gjatë në Durrës, në prani të Lutfi Nurit dhe Fatbardh Jerës. Holandezi: “Nuk më interesojnë paratë, jam i pasur… Dua një sfidë personale, por Shqipërinë nuk e njoh, do ta studioj në Youtube”

Nga Anton Cicani

Vetëm një “ok” dhe Klarens Sedorf do të jetë pasuesi i Xhani de Biazit në stolin e Shqipërisë. Këtë javë pritet që federata shqiptare e futbollit të zgjidhë dyshimet e fundit. Presidenti Armand Duka është i dyzuar, teksa gara për të marrë vendin e lënë vakant nga italiani është vetëm mes dy trajnerëve: Klarens Sedorf dhe Luixhi De Kanio. Por, kandidatura e holandezit është më e forta, për një simpati personale të presidentit të federatës, i cili pas arritjes së madhe të kualifikimit në Europian për të parën herë në historinë e Shqipërisë, dëshiron që të rinisë gjithçka nga zero, me një person që do ta pranojë këtë sfidë dhe do të përgatisë kombëtaren për kualifikimin në Europianin 2020, pra pas tre vjetësh. Duka i ka dhënë më shumë kohë vetes, teksa çdo ditë që kalon është në dëmin e federatës. Në fakt, brenda fundit të korrikut duhet të zgjidhet edhe kjo nyje, edhe pse sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres”, gjatë kësaj jave mund të kemi emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë.

Pengu Tramexani – Armand Duka priste që Paolo Tramexani të thoshte “po”, por do të jetë për të ardhmen. Në fakt, motivi i vërtetë që ish-ndihmësi i De Biazit refuzoi nuk kishte të bënte me faktin që është ende i ri për të drejtuar një kombëtare, por sepse brezi në fjalë është ai që vetë Tramexani ka zgjedhur dhe me të cilët ka pasur një raport miqësor. Pra, vështirësia për të dalluar miqësinë nga profesionalizmi ka vënë në vështirësi trajnerin aktual të Sionit, që në fund ka vendosur për “jo, faleminderit”.

Diskutimi  bindës – Përpara dy javësh, Armand Duka dhe Klarens Sedorf, nga ajo që ka mësuar “Sport Ekspres”, kanë pasur një takim të fshehtë. E gjitha e bërë larg reflektorëve, një takim në një lokal ku edhe hyrja është me kartë klienti dhe ku askush nuk kishte akses. Sedorf ka mbërritur me avion nga Milano, teksa ka marrë daljen dytësore të aeroportit të Rinasit, për të mos u vënë re nga askush, edhe pse e kanë parë të pranishmit. Armand Duka, Sedorf, Lutfi Nuri dhe Fatbardh Jera i janë drejtuar një lokali në bllok dhe, më pas, gjithçka është spostuar në Durrës, aty ku edhe kanë drekuar. Dy orë bisedë, teksa Sedorf ka qenë i shoqëruar edhe nga agjenti i tij. Ish-trajneri i Milanit, në bisedën që ka pasur me presidentin e federatës shqiptare, ndër të tjera i është drejtuar Dukës me këtë fjali: “Nuk më interesojnë paratë, do të flasim për ato pasi të biem dakord fillimisht për atë që do të bëjmë. Jam entuziast për të drejtuar kombëtaren e Shqipërisë dhe është një sfidë e imja personale. Jam i pasur, nuk nisem nga kontrata, por projekti dhe ajo që bashkë do të bëjmë. Nëse doni, mbani stafin ekzistues, ose po ashtu më thoni, jam në dispozicion, por ky është një problem sekondar”, u shpreh holandezi, teksa Duka e dëgjonte. Ndërkohë, ai ka shtuar ndër të tjera, me sinqeritet të plotë: “Mund të them që e njoh Shqipërinë, por do të gënjeja. Nuk e kam parë asnjëherë, as në Europian. Do të nis prej tani të studioj ndeshjet në youtube dhe do të shoh dhe futbollistët që luajnë, si edhe mosha e tyre. Jam gati t’i takoj personalisht për t’i treguar atë që unë kam ndër mend. E përsëris, Shqipëria është sfida ime, tani ju mbetet ju në dorë të vendosni”. Pasi e ka falënderuar, presidenti Duka e ka shoqëruar deri në aeroport ish-trajnerin e Milanit dhe ish-futbollistin e Holandës, që është nisur drejt Italisë sërish.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *