VIDEO | Torino nderon Moretin,e mbyll me fitore kundër Lacios

Torino dhe Lacio i kishin ruajtur emocionet për pjesën e dytë në ndeshjen e fundit për këtë sezon. 3-1 fitoi ekipi i Maxarrit, duke mbyllur një kampionat shumë të mirë në kuotën e 63 pikëve. Ndeshje pa rëndësi për Lacion, që siguroi kualifikimin në Ligën e Europës pas fitimit të finales së Kupës së Italisë kundër Atalantës.

Pjesa e parë nuk dhuroi emocione, ndërsa në të dytën u shënuan katër gola. Iago Falke zhbllokoi shifrat me anë të një gjuajtje të bukur në zonë, ndërsa Lukiç dyfishoi pas dy minutash.

Kundërsulm perfekt i ekipit granata, që u konkretizua nga mesfushori. Lacio reagoi dhe shkurtoi diferencat me anë të Imobiles. Sulmuesi shënoi një gol të bukur pas asistit të marrë nga Parolo, ndërsa De Silvestri vulosi triumfin vendas me golin e shënuar 10 minuta para fundit të ndeshjes.

Kjo ishte ndeshja e fundit për Emiliano Moretin. Mbrojtësi 37-vjeçar i dha fund karrierës pas mbi 600 ndeshjeve si profesionist. Fitorja ishte për të, ndërsa tifozët i dhuruan emocione të forta.

Torino-Lacio 3-1
(Iago Falke 51’, Lukiç 53’, De Silvestri 80’ / Imobile 66’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *