VIDEO | Tirana apo Teuta? Fiton… mërzia në Selman Stërmasi

Ashtu si në fazën e parë në “Selman Stërmasi”, Tirana dhe Teuta ndanë nga një pikë në një barazim 1-1. Progni ishte autori i golit për skuadrën bregdetare, por Ngo iu përgjigj pa u mbyllur pjesa e parë, për të gëzuar tifozët vendas. Një takim mjaft i kujdesshëm dhe me ritëm të ulët, skuadrat u kënaqën me pak.

Vijon ecuria pozitive e skuadrës bardheblu, që ndaj një kundërshtari mjaft të fortë nuk del duarbosh, megjithatë starti ishte një malore për bardheblutë, të cilët pa u mbushur 2 minuta lojë e panë veten në disavantazh. E nis më së miri aventura e Erlis Frashrit te durrsakët, pasi pikërisht anësori harkoi saktë, duke i dhënë mundësinë Prognit për të gjetur rrugën e rrjetës. Natyrshëm që me qetësinë e rezultatit, mysafirët ishin më të qetë dhe prisnin mundësinë për të rrezikuar.

Gjithsesi, bardheblutë do të shpërbleheshin për iniciativën e tyre, teksa Ngo kombinoi bukur me Halilin brenda zone, por në fund anglezi shënoi nga fare pranë portës. Festë e çmendur e vendasve, madje tifozët “shpërthejnë” dhe hekurat rrethues.

Pjesa e dytë kishte një tjetër muzikë, ishte më e vakët dhe shumë pak raste u krijuan në të dyja portat. Edhe pse në minuta e fundit skuadrat kishin më shumë vështirë për të marrë maksimumin e pikëve, frika për të mos humbur i bëri disi të ngurta, duke mos i vënë në provë serioze Hidin dhe Abibin.

Tirana shkon në kuotën e 21 pikëve dhe pret e qetë rivalët për mbijetesë, ndërsa në anën tjetër Teuta regjistron barazimin e dytë radhazi, megjithatë duhet të përmendet se ka një ecuri të pabesueshme me 13 ndeshje pa humbje në kampion.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 20

E premte, më 1 shkurt, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
TIRANA 1-1 TEUTA
Shënues
: Ngo 38′ / Progni 2′

Tirana: Abibi, Doka, Atinga, Imami, Hoxhallari (Goxha 74′), Mauexhe, Daja (Muçi 90+4′), Karabeci, Halili (Kobina 56′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema. Të gatshëm: Lika, Cake, Muça, Ismajlgeci.

Teuta: Hidi, Frashëri, Bicaj, Arapi, Hakaj (Beqja 69′), Osmani, Sidibe, Kallaku, Traore (Latif 83′), Progni, Kamara (Vecaj 59′). Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm:  Celeski, Shkalla, Avdyli, Gashi.

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Çokaj, Dojando Myftari, Denis Rexha; Gjyqtarë linje: Olsid Ferataj, Kreshnik Barjamaj

Kartonë të verdhë: Halili 39′, Karabeci 49’/ Bicaj 59′, Vecaj 65′, Traore  74′

Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Albano Janku.

EPISODET

63′ – Progni rreikon me një lëvizje mjaft të bukur, por është i pafat tropojani, i cili nuk e gjen dot kuadratin e portës.

 

45+2′ – Progni del i vetëm me Abibin, por në momentin e fundit humbet mundësinë për të goditur.

38′ – Ngo realizon nga brenda zone, duke vendosur ekuilibrin. gjatë festës me tifozët rrëzohen dhe hekurat rrethues.

17′ – Abibi neutralizon një harkim të Prognit, duke larguar rrezikun që i kanosej portës së tij.
12′ – Hoxhallari provon nga distanca, por nuk është i saktë mbrojtësi i bardhebluve, i cili nuk e gjen kuadratin e Hidit.
2′ – Pas pasimit të Frashërit, Progni nuk gabon nga brenda zone, duke realizuar golin e parë të sfidës.

1′ – NIS NDESHJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *