VIDEO/ Të gjithë në këmbë për të pritur Kielinin, Dibala vazhdon mjeshtëritë me Juventusin

Juventusi vjen edhe njëherë te fitorja në Serie A, këtë herë pa ndihmën e Ronaldos, të cilin Sarri vendosi ta linte pushim. Bardhezinjtë kanë mposhtur me shifrat 2-0 Breshian në Torino. Lojtarët e Juventusit kanë shënuar nga një herë në secilën pjesë duke siguruar kështu tre pikët e radhës që i japin përkohësisht kreun.

I pari që do të shënonte ishte Dibala, që me një goditje dënimi fare pranë zonës lë të palëvizur nga vendi portierin kundërshtar, që vetëm sa shoqëron topin me sy teksa futet në rrjetë. Ndërkohë për të dyfishuar rezultatin do të mendonte Kuadrado, që pas një kombinimi të bukur me Matuidin gjen golin. Francezi do të shërbente brenda zone me finte për lojtarin kolumbian, që përballë portierit nuk e kishte të vështirë të shënonte.

Por përpos fitores një lajm i gëzueshëm për të gjithë bardhezinjtë ishte edhe rikthimi i kapitenit Kielini. Ky i fundit la pas dëmtimin e gjatë që prej fillimit të sezonit dhe është futur në fushë në minutën e 78. Kjo padyshim solli edhe ovacione e duartrokitje të mëdha në shkallët e stadiumit të Juventusit, me tifozët që i kanë uruar një mirëseardhje të ngrohtë mbrojtësit të tyre legjendar. Madje duartrokitjet kanë nisur që në momentin kur Kielini është ngritur të kryejë nxehjen./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *