VIDEO | Supegoli i Kallakut shpëton Teutën, Laçit nuk i mjafton Shtubina

Nuk i mjafton goli i Ndriçim Shtubinës ekipit të Laçit për të marrë fitoren në Durrës, pasi vendasit realizuan një gol mjaft të bukur me anë të Sherif Kallakut, për të vulosur rezultatin 1-1. Vijon ecuria fantastike e “djemve të detit”, të cilët regjistrojnë ndeshjen e 11-të pa humbje.

Ndeshja nisi e vakët dhe pa shumë raste, aq sa Selmani dhe Hidi ishin gati spektatorë dhe duhej ndërhyrja e tyre vetëm në ndonjë rast sporadik dhe pa rrezik. Pas gjysmë ore lojë skuadrat “ndezën” motorët dhe nisën që të krijonin raste, por ishin kurbinasit ata që u treguan më të saktë.

Fangaj, me një inkursion nga e djathta shërbeu për Shtubinën në qendër të zonës, me këtë të fundit që me portën e boshatisur nuk e pati të vështirë që të shënonte. Goli ka vend për interpretim, pasi vendasit protestuan për një pozicion të parregullt. Edhe nga përsëritjet është mjaft te vështirë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një gol të parregullt apo jo.

Pak sekonda para fundit, anësori bëhet sërish protagonist, duke ndalur një aksion mjaft të dyshimtë, me Berishën që doli i vetëm përballë Hidit. Një moment tjetër i diskutueshëm, por që nuk solli ndryshim rezultati në 45 minuta e para.

Fraksioni i dytë nisi me një tjetër ritëm për vendasit. Shkëmbi freskoi skuadrën në repartin e avancuar duke hedhur Vecajn dhe më vonë edhe Vilën në fushë. Kallaku shpërdori një mundësi fantastike për të shënuar, por presioni i “dejve të detit” erdhi në rritje, edhe pse ishte e vështirë për të gjetur hapësira për shënim.

Kallaku në një farë mënyre shleu atë rast të sekondave të para të pjesës së dytë, duke realizuar një gol fantastik nga një goditje dënimi. Mesfushori frenoi festën pasi në këtë takim ishte me statusin e një “ish”-i.

Teuta vijon të mrekullojë me një seri të pabesueshme prej 11 ndeshjesh pa humbje dhe tani e sheh veten në vendin e dytë me 33 pikë,  ndërsa në anën tjetër Laçi shkon në kuotën e 30 pikëve.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 18

E shtunë, më 22 dhjetor 2018, ora 17:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Teuta 1-1 Laçi
Shënues: Kallaku 87′ /Shtubina 36′

Teuta: Hidi, Gjorgievski (Vecaj 46′), Shkalla, Osmani, Hakaj (Beqja 78′), Sidibe, Gashi, Kallaku, Kamara (Vila 51′), Progni, Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm: Celesti, Qato, Avdyli, Vogli.  

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Mersini, Sefgjini, Gjoni, Eller, Jonuzi, Lushkja (Altiparmakovski 81′), Shtubina, Berisha. Trajner: Besnik Prenga. Të gatshëm: Hasanbelli, Pjeshka, Prenga, Bushi, Smaçi, Dragoj.  

Kartonë të verdhë: Shkalla 7′, Gashi 53’/ Selmani 86′, Toro 90+2′

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Çokaj, Ani Koçiaj,  Gernat Qirici. Gjyqtarë linje: Enea Jorgji, Orlando Kuka
Delegat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Albano Janku

DIREKT

87′ – Kallaku ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi dhe vendos ekuilibrin

69′ – Eller provon nga distanca, topi devijohet, por rreikon jo pak Hidin, i cili shoqëron topin derisa përfundon jashtë.

47′ – Latif bën gjithçka mirë nga e djathta dhe pason për Kallakun, i cili godet një 11-metërsh në lëvizje, por Selmani bëhet shpëtimtar me ndërhyrjen e tij.

45+2′- Asistenti ndalon një aksion mjaft të diskutueshëm me Berishën që gabon i vetëm me Hidin.

36’ – Pas një pasimi nga e djathta nga Fangaj, Shtubina nuk e ka të vështirë që të shënojë me portën e boshatisur. Ka portesta nga vendasit për këtë moment.

32′ – Pas harkimit nga e djathta, Gashi fton Kamaran që devijon për më në thellësi të zonës, ku Shkalla provon të godasë, po nuk tregohet i saktë.

11’ – Progni hedh një top në shtyllën e dytë, por Toro bën “heroin” duke i hequr, mundësinë e shënimit sulmuesit Latif në momentin e fundit.

1′ – NIS NDESHJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *