VIDEO: Spektakël në Wembley, Deulofeu futet dhe çon Uotfordin në finalen e Kupës FA!

0

Futbolli anglez, kush tjetër veç tij, mund të dhurojë magji të tilla si ajo e sotmja në Wembley, ku u luajt gjysmëfinalja e dytë e Kupës FA, mes Uotfordit dhe Ulvërhemptonit?

Një ndeshje e çmendur, mes dy prej befasive të mëdha të sezonit në Premier Ligë, sepse ;këto dy skuadra kanë shkëlqyer dhe me të drejtë kërkojnë edhe një vend në Europa League për të kurorëzuar një sezon perfekt.

Uotfordi e ka pasur më të lehtë rrugën në kupë, duke eliminuar Njukasëll e Kristal Palas ndër të tjerë, ndërsa Ulvs në gjysmëfinale bëri goditjen e madhe, sepse mundi Mançester Junajtid.

Pas një ore loje dukej gjithçka e arkivuar, sepse Doherti në minutën e 36-të dhe i zakonshmi Raul Himenez në minutën e 62-të shënuan 2-0 për Ulvs.

Megjithatë, në Angli ndeshja nuk mbaron kurrë aq shpejt dhe Uotfordi në minutën e 66-të futi spanjollin Deulofeu, i cili kur është në ditë të mbarë, bën mrekulli.

Në minutën e 79-të vetë Deulofeu rihapi ndeshjen dhe në minutën e 92-të sulmuesi tjetër Troj Dini fitoi një 11-metërsh që e konfirmoi edhe VAR, që në Angli përdoret vetëm në Kupën FA. Vetë Dini, me qetësi të admirueshme, barazoi nga pika e bardhë dhe u kalua në shtesa.

Delir total te tifozeria e Uotford, zi tek Ulvs, sepse finalja ishte pak sekonda larg dhe tragjedia në horizont po nuhatej.

Në minutën e 104-t Deulofeu vendosi të siguronte finalen pa pritur makthin e penalltive, duke shënuar një gol të paharrueshëm, që e kthen në hero për klubin e vogël londinez, sepse tashmë do të përballet me Mançester Sitin në finale, me shansin për të fituar trofeun e parë në histori, pas finales së vetme në Kupën FA, në sezonin 1983–84, ku u mund nga Evertoni 2-0.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.