VIDEO: Spektakël në Dortmund, triumfon Verderi i Rashicës

120 minuta, 6 gola, 8 penallti të gjuajtura dhe në fund, Verder Bremen në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë!

Një ndeshje drithëruese ajo e luajtur sot në Signal-Iduna-Park, ku Dortmundi kryesues i Bundesligës është eliminuar nga Verderi i Milot Rashicës, me djaloshin nga Kosova që shënoi golin e parë të ndeshjes, që në minutën e pestë.

Rojs barazoi në shtesën e pjesës së parë dhe më pas asnjë gol në pjesën e dytë, duke bërë të nevojshme shtesat. Aty, dramë më vete: Pulisiç shënoi në minutën e 105-të dhe veterani Pizarro barazoi për miqtë në të 108-tën.

Mbaroi? As që bëhet fjalë: Hakimi shënoi sërish për Dortmundin në minutën e 113-të dhe Harnik barazoi në minutën e 119-të.

Te penalltitë Dortmundi gaboi në dy të parat, me Pako Alkaser e Filip, ndërsa Verderi u tregua perfekt, me 4 gola rresht, duke dhuruar një tjetër surprizë të madhe, pas eliminimit të Leverkuzenit në Hajdenhajm.

8000 tifozë të Verderit në Dortmund, për të festuar, sepse është 120-vjetori i klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *