VIDEO: Skena qesharake, arbitri i dhunuar nga Këlcyra tani masakron Shkumbinin

0

Për fat që nuk shohim asgjë, kjo duhet thënë për kategoritë e ulëta në Shqipëri. Nëse Superiorja është në fokusin e mediave, mbi të gjitha sepse e transmeton direkt e me regjistrim Supersporti dhe nuk kalon dot asgjë pa vënë re, poshtë Superiores është një katastrofë.

Një futboll ordiner, me futbollistë që kurrsesi nuk paguhen si profesionistë dhe shumica e tyre nuk mund të quhen kurrsesi profesionistë, sepse edhe klubet ku luajnë janë në gjendje të mjeruar, pa financa e pa organizim.

Edhe vëmendja mediatike është minimale, edhe vëmendja e FSHF-së është minimale, por tek-tuk ndonjë kamera ofron pamje nga ndeshjet spektakolare të Kategorisë së Parë, apo të së Dytës.

Radhën për cirk e ka ndeshja Naftëtari-Shkumbini, ku ka pasur kaos. Nën akuzë Shkumbini, që sot u dënua me humbje në tavolinë dhe iu hoqën 3 pikë.

Diçka kanë bërë peqinasit, apo jo? Megjithatë, Shkumbini ka gjetur pamjet e ndeshjes dhe pa publikuar gjëra që të lënë gojëhapur.

Arbitri i takimit ishte Alvi Paço, i cili duket se me Kategorinë e Dytë i paska punët pisk dhe bën mirë ta lërë këtë sport, nuk qenka për të. Nëse Këlcyra e masakroi në grushte, këtë radhë ishte Paço ai që masakroi Shkumbinin.

Fillimi i ndeshjes, një kontakt i lehtë në mesfushë dhe asnjë protestë, por Paço vrapon dhe nxjerr me karton të kuq lojtarin peqinas Emilian Lluca.

Estradë totale, sepse më pas Paçon e rrethuan lojtarët peqinas, por në video nuk duket ndonjë gjest i dhunshëm, ndërsa arbitri rrëzohet në tokë pa ndjenja, për t’u çuar pa problem pak më vonë, kur u larguan lojtarët.

Në pjesën e dytë edhe një gol i anuluar, sërish në dëm të Shkumbinit, dhe sërish duket se nuk ka asnjë faull, me portierin vendas që lëshon topin në dalje gjatë një krosi në zonë. Sërish gol i anuluar nga arbitri kryesor, që duket se ka pasur një ditë të keqe, për të mos thënë diçka më shumë.

Në Peqin akuzojnë hapur gjyqtarin dhe porositësit e tij, ndërsa në renditje si pa dashje fluturon Maliqi kryesues, sepse Shkumbini është dënuar rëndë në pak ditë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.