VIDEO | Siti feston trofeun e parë, “ruleta ruse” vret Çelsin

Është mbyllur “Carabao Cup”, ku Mançester Siti u kurorëzua ekipi fitues, teksa triumfoi ndaj Çelsit pas ruletës ruse të 11-metërshave. Koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën pa gola, me të dy ekipet që zhvilluan një ndeshje të kujdesshme.

Pjesa e parë ishte thuajse e gjitha e dominuar nga ekipi i Guardiolës, të cilët dominuan në mbajtjen e topit dhe në lojë, por mbrojtja e Çelsit ishte në lartësinë e duhur. Fraksioni i dytë, ishte më pozitiv për blutë, të cilët krijuan dhe raste në fundin e ndeshjes, por Kante dhe Pedro nuk u treguan të saktë.

Kështu, ndeshja u mbyll pa gola dhe gjithçka kaloi në kohën shtesë. E njëjta melodi u luajt dhe në 30 minutat e shtësës, ku skuadrat nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës dhe iu drejtuan llotarisë së 11-metërshave për të vendosur fituesin.

Zhorzhinjo ishte i pari që goditi, me mesfushorin, i cili gaboi duke goditur një nga penalltitë më të këqija të karrierës. Më pas, Gyndogan, Azpilikueta, Aguero, e Emerson u treguan të saktë. Leroi Sane ishte ai që gaboi për Sitin, duke rikthyer përsëri Çelsin në lojë. Gjithsesi, mundësia nuk u shfrytëzua siç duhet, me David Luiz, i cili goditi shtyllën.

Bernardo Silva u tregua i saktë, ndërsa Hazard dhuroi një perlë, teksa mposhti Ederson me panenka. 11-metërshi deciziv u godit nga Sterling, i cili u tregua i saktë, duke çmendur në festë ekipin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *