VIDEO | Shtatë muaj për një gol, Çani: Kam qenë gjithnjë një luftëtar!

Nga marsi në nëntor i është dashur Edgar Çanit për të provuar shijen e golit në kampionat. Sulmuesi shqiptar aktivizohet me Vibonezen në Serie C dhe sot skuadra e tij ka fituar me rezultatin 5-0 kundër Frankavila. Ish-futbollisti i Partizanit realizoi pesë minuta nga përfundimi i takimit golin e fundit të skuadrës së tij.

Pas ndeshjes, Çani ka folur për mediat dhe golin ia ka dedikuar të dashurës së tij Kiarës. Më pas ai theksoi se nuk e tremb aspak konkurrenca në sulm, por e motivon për të bërë edhe më mirë. Sulmuesi thekson se ka qenë gjithmonë një luftëtar.

“Nuk më shqetëson aspak, por më stimulon. Konkurrenca rrit nivelin në përgjithësi, pasi i mban të gjithë në “gjemba”. Jam një futbollist i cili di të japë më të mirën në momentet më të vështira, pasi në jetën time nuk kam gjetur kurrë rrugë të sheshta. Kam qenë gjithmonë një luftëtar”, u shpreh Çani para mediave.

“Dedikimi? Për të dashurën time Kiara, që më ka qëndruar pranë dhe më duron, edhe kur kam momente nervozizmi”. Për sulmuesin ky ishte goli i parë me fanellën e Vibonezes, ndërkohë që para ndeshjes së sotme ai kishte luajtur në total 7 ndeshje, 2 prej të cilave i kish nisur si titullar. Kundër Frankavila ai zbriti në fushë në minutën e 29-të të pjesës së dytë dhe pas dhjetë minutash shënoi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *