VIDEO | Selmani hero, Shtubina goleador! Laçi parakalon Skënderbeun

0

Skuadra e Laçit ka marrë një fitore 1-0 përballë Skënderbeut në fushën e saj, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme sa i takon luftës për një vend në Europë. Ka mjaftuar goli i Shtubinës në pjesën e parë që Laçi të arrijë në kuotën e 44 pikëve, vetëm tre më pak se Flamurtari i vendit të tretë.

Ndeshja nisi shumë mirë për kurbinasit, që luftuan fort për çdo top dhe rrezikuan disa herë portën e Dajsinanit. Por goli erdhi vetëm në minutën e 30’. Sefgjinaj nuk gjen alternativa për të kryer një rivënie anësore dhe e ekzekuton me shumë forcë në zonë. Topi gjën kokën e Xhixhës, që shërben në qendër për Shtubinën. Shkodrani nuk mendohet dy herë dhe godet me kokë, duke ndëshkuar portierin Dajsinani, që bëri një dalje të pamenduar mirë.

Skënderbeu u mundua të reagojë dhe nuk u pajtua me këtë rezultat, por tentativat e Bregut, Gripshit dhe Ditës, u ndalën nga portieri Selmani. Madje, Skënderbeu humbi dhe një 11-metërsh me anë të Bregut, gjuajtja e të cilit u prit nga Selmani.

LAÇI-SKËNDERBEU  1-0
Shtubina 30′

Laçi: Selmani, Mersinaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Çokaj (Jonuzi 78′), Shtubina, Okpotu (Domgjoni 90+2′), Xhixha. Trajner: Sulejman Starova.

Skënderbeu: Dajsinani, Vangjeli, Kaba Sambou, Radas, Abazi, Dita, Sibo (Toskic 85′), Pervan, Gripshi, Bregu (Pellumbi 78′), Krasniqi. Trajner: Orges Shehi

EPISODET – 

90’ – Mbyllet takimi në Laç. Kurbinasit triumfojnë 1-0 dhe parakalojnë Skënderbeun në renditje, duke u ngjitur në vend të pestë.

80’ – Shtubina shënon sërish, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Jonuzi jep një pasim perfekt për autorin e golit të parë, por flamuri ngrihet lart

78’ – Të dy trajnerët bëjnë lëvizje në formacionet e tyre.  Bregu i bën vend Pëllumbit, ndërsa Çokaj largohet për Jonuzin.

55’ – Penallti e diskutuar në Laç pas një ndërhyrje të Sefgjinajt kundrejt Vangjelit. Për gjyqtarin, penallti dhe Bregu merr përsipër ekzekutimit. Sulmuesi gjuan në cep të portës, por Selmani fluturon dhe bën një pritje fantastike, duke i mohuar golin e barazimit Skënderbeut

45+1’ – Dejvi Bregu është shumë pranë golit nga goditja e dënimit. Topi shkon ngjitur me shtyllën dhe Laçi është me fat në këtë moment

36’ – Çfarë goditje nga Dita, i cili lëshon një të djathtë nga një distancë rreth 30 metra, por Selmani fluturon dhe i mohon golin

30’ – Goool Laçi. Një rivënia anësore e ekzekutuar nga Sefgjini gjen kokën e Xhixhës, i cili shërben në qendër për Shtubinën, që po me kokë, ndëshkon portierin Dajsinani, duke i dhënë avantazhin Laçit.

26’ – Edhe Gripshi tenton të shënojë me të majtën nga jashtë zonë, por njëjtë si Bregu, edhe gjuajtja e numri 10 shkon mbi kuadrat

14’ – Vjen tentativa e parë drejt portës. Bregu ndodhet i lirë në hyrje të zonës, gjuan me të majtën, por tregohet i pasaktë, me topin që shkon mbi traversë.

10’ – Minuta të qeta deri më tani. Mungojnë rastet e pastra dhe loja po zhvillohet vetëm në mesfushë

1’ – Fillon sfida në Laç

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.