VIDEO | “Pse e shëmtoni futbollin?!”, Korabi konteston gjykimin

Korabi u mund dje në Burrel dhe ndeshja u vendos nga një penallti e akorduar në pjesën e parë. Dibranët kanë pasur kontestime të shumta jo vetëm për atë 11-metërsh, por edhe për raste të tjera. Për këtë kanë dalë edhe me një komunikatë, kur kërkojnë që t’u jepet haku në fushën e blertë. Ata kanë një mesazh për arbitrat dhe për Federatën Shqiptare të Futbollin.

QËNDRIMI I KORABIT – Granit Sulko, dhe ju Granitët e tjerë, pse e shëmtoni futbollin tonë?! Atë futbollin që po përpiqemi ta zbukurojmë dhe ta nxjerrim nga mjerimi e zona e zymtë që është futur! Në Shkodër të kontestuam publikisht për golin që shënoi Veleçiku, kontestuam për kartonin e kuq që dhe ndaj nesh, por në fund u pajtuam dhe ulëm kokën duke menduar se janë gabime njerëzore.

Në Burrel provuat që ka një tendencë dhe qëllimi është dashakeq, edhe pse të gjithë e dinim që përqindja e fushës i takon vendasve dhe e kishim përgatitur ekipin për një gjykim në disfavor, por jo të njëanshëm!

Ajo fanellë që përdhosët ju është fanella e dibranëve, ata djem që luajtën në fushë ushqejnë familjen me këtë punë dhe jeni ju që talleni me djersën dhe bukën e tyre.

Një penallti qesharake në disfavor, një penallti e mohuar dhe një gol i pa akorduar janë shumë dhe vlejnë me tepër se ai “harami” që keni marrë, vlen më tepër se ajo nota negative që morët sot, me tepër se ai dënimi jo publik që do merrni në FSHF!

Klubi i Futbollit “Korabi” shpall non-grata grupin nga Lushnja që ka gjykuar Korabin në dy humbjet e pësuara këtë sezon, pasi kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e takimit. Po investohen paratë e biznesmenëve të ndershëm dibranë, paratë e taksapagueseve dibranë, koha dhe mundi i stafit dhe lojtarëve për të ardhmen e futbollit dibran dhe shqiptar, ndaj kërkojmë publikisht të drejtën tonë dhe lojë të ndershme! (Në videon e mundësuar nga Rruzhdi Xhediku janë rastet e takimit dhe momentet për gjykim).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *