VIDEO | Provo përsëri, derbi mbetet “tabu” për Tiranën

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit është mbyllur në barazim pa gola. Kjo sfidë ishte shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe humbja nuk shihej aspak si një rezultat i pranuar. Ekipet vinin pas një momenti të mirë, por në “Selman Stermasi”, nuk arritën të gjenin golin e fitores.

Tirana e nisi më mirë takimin, duke rrezikuar disa herë portën e Alban Hoxhës. Në dy raste, britaniku Ngo kishte mundësinë për të shënuar me kokë, por nuk ia doli që të mposhtë kapitenin e Partizanit. Me kalimin e minutave, Partizani u zgjua dhe ndeshja u balancua në mesfushë.

Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe fraksioni i dytë i lojës, pati të njëjtën histori. Tirana e nisi më mirë dhe Greca ishte aktiv nga krahu u majtë, megjithatë, rastet e pastra munguan. Ngo u neutralizua mirë nga Belica dhe Rexhepi, i cili u aktivizua në pjesën e dytë nga Gega.

Edhe Partizani krijoi disa raste të mira, por Abibi nuk pati shumë punë për të bërë. Telushi goditi shtyllën dhe mesfushori i Partizanit ishte i pafat. Turtulli rrezikoi autogolin, por dhe topi i devijuar nga mbrojtësi shkon jashtë kuadratit.

Edhe pse kjo sfidë premtonte gola dhe spektakël, ajo që u pasqyrua në fushën e lojës ishte shumë larg pritshmërive dhe 90 minutat në “Selman Stermasi”, u mbyll e barabartë pa gola.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 24

E premte, më 1 mars, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA – PARTIZANI  0 – 0

Tirana: Abibi – Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe, Karabeci, Hasani – Kobina (Doka 73′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema Në dispozicion (Lika, Atinga, Daja, Halili, Muça, Muçi)

Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Atanda, Belica, Idrizaj (Kalari 59′) – Telushi, Mala – Asani, Duka (Rexhepi 46′), Mensah (Hebaj 68′) – Bardhi. Trajner: Skënder Gega  Në dispozicion (Xhika, Rexhepi, Kardozo, Kalari, Kote, Çinari, Hebaj)

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Astrit Mahmuti; Gjyqtar–ë/e linje: Juxhin Xhaja, Emanuela Rusta Delegat: Marjus Sulejmani

Kartonë të verdhë: Hoxhallari 46’, Turtulli 51′, Ngo 66′ / Kalari 88′, Rexhepi 90+3′

EPISODET

90′ Mbyllet pa gola takimi në “Selman Stermasi”

80’ Shtyllë Partizani, Telushi i pafat. Gjuajtja e mesfushorit të “Demave” lë të shtangur portierin Abibi, por e majta e numrit 27 përplaset në shtyllë. Shpëton Tirana

74’ Rrezikon Partizani. Një rivënie me duar nga Kalari gjen kokën e Turtullit brenda zonës, që rrezikon autogolin me devijimin e tij

58′  Mbyllet derbi për Idrizajn, mbrojtësi dëmtohet rëndë dhe largohet me ambulancë nga “Selman Stermasi”

46′ Starton fraksioni i dytë i lojës

45′ Mbyllet pjesa e parë pa gola

30′ Mundësi e artë për Ngo, Kërçiku nga e djathta bën mjaft mirë dhe kroson në zonë. Anglezi i sulmit, i ndodhur pranë portës, gjuan me kokë. Topi shkon në duart e Alban Hoxhës

27′ Aksion i gjatë sulmues për Tiranën, Greca dhe Ngo kombinojnë mes tyre. Anësori pason për Kobina, por ganezi brenda zone godet mbi tra. Mundësi e mirë për Tiranën

24′ Hoxhallari kroson në zonë, Ngo me kokë gjuan dhe portieri Alban Hoxha bëhet shpëtimtar me devijimin e tij. Goditje këndi. Portieri i Partizanit edhe më pas ishte në lartësinë e duhur, duke ndalur një gjuajtje të lojtarëve bardheblu

7′ Tension në fushë, Imami dhe Bardhi protagonistë

1’ Fillon takimi në “Selman Stermasi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *