VIDEO: Pritja e përjetshme merr fund, Partizani kampion!

Partizani është skuadra kampione e Shqipërisë. “Demat e Kuq” triumfuan 2-1 në derbin e kryeqytetit kundër Tiranës dhe i dhanë fund një pritje 26-vjeçare. Ndeshja nisi shumë mirë për të besuarit e Skënder Gegës, të cilët gjetën golin në minutën e 30’ me anë të sulmuesit Çinari.

Shkodrani bën gjithçka mirë në hyrje të zonës dhe lëshon një të majtë shumë të fortë, duke shtangur portierin Abibi. Goli i numrit 7 ishte shumë i bukur dhe Partizani në avantazh. Epërsia e “Demave” do të zgjaste vetëm 10 minuta, pasi Tirana barazoi.

Ngo është shumë i fortë për mbrojtjen e kuqe dhe pasi driblon dy futbollistë, shërben bukur te Greca, i cili i vetëm përballë Hoxhës, nuk e ka të vështirë të shënojë. Pjesa e parë mbyllet e barabartë.

Fraksioni i dytë i lojës, nisi më mirë për Tiranën, që kërkoi të përmbysë shifrat. Megjithatë, golin vendimtar do e shënonte Partizani, sërish me anë të Çinarit. Shkodrani merr një pasim perfekt nga Trashi dhe i vetëm përballë Abibit, shënon, duke i dhënë fitoren dhe titullin Partizanit.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 33
E shtunë, më 12 maj, ora 16:30

PARTIZANI-TIRANA   2-1
Çinari 30′ 72′ / Greca 40′

Partizani (4-2-3-1): Hoxha – Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi – Hila, Atanda – Mala, Duka (Kalari 82′) Çinari (Kardozo 87′) – Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Tirana (4-1-4-1): Abibi – Daja, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe (Cake 81′) – Doka, Kobina, Hasani (Sentamu 67′), Greca – Ngo. Trajner: Ardian Mema

Kartonë të verdhë: Turtulli 23’, Daja 45+2′

EPISODET – 

90’ – Mbyllet sfida në “Selman Stermasi”. Partizani është skuadra kampione e Shqipërisë, pasi mposhti Tiranën në derbi me rezultatin 2-1.

72’ – Gooool Partizani, shënon sërish Çinari. Shkodrani duket në një ditë të shkëlqyer dhe shënon golin e dytë personal. 2-1 për “Demat” dhe festa në “Selman Stermasi” është e çmendur

67’ – Hoxhallari kroson shumë mirë nga një goditje dënimi dhe gjen kokën e Turtullit. Mbrojtësi i Tiranës gjuan me kokë, por portieri Hoxha e ndal.

52’ – Tirana e nis në sulm pjesën e dytë. Kobina tenton me të majtën nga jashtë zone, por pa probleme për portierin Hoxha. Gjithçka e barabartë në “Selman Stermasi”

45’ – Mbyllet pjesa e parë në “Selman Stermasi”, derbi i kryeqytetit nuk ka fitues në 45 minutat e para

40’ – Goool Tirana, shënon Greca. Ngo shërben në mënyrë të shkëlqyer te mesfushori i bardhebluve, i cili tregohet i saktë para portierit Hoxha, duke e mposhtur me një parabolë. 1-1 sfida!

30’ – Goool Partizani, shënon Çinari. Numri 7 i “Demave” shënon një gol fantastik, duke mposhtur Abibin nga jashtë zone më një silurë. 1-0 për Partizanin dhe me këtë rezultat, janë ata kampionët e Shqipërisë

19’ – Vjen goditja e parë drejt portës. Mala shmang bukur Hoxhallarin dhe në hyrje të zonës, godet me të majtën. Gjithsesi, asnjë problem për Abibin

10’ – Luftë e ashpër në mesfushë, skuadrat mbrohen mirë. Ende asnjë rast për t’u shënuar

1′ – Fillon sfida ne “Selman Stermasi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *