VIDEO/ Pipero do të ishte “kapiteni” i Kombëtares, FSHF vlerëson mjekët për sakrificën

Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën e palodhur dhe tejet të vështirë që punonjësit e shëndetësisë po kryejnë këto kohë. Këta të fundit kanë barrën më të rëndë në këtë luftë me pandeminë Covid-19 dhe për këtë arsye sakrifica e tyre nuk mund të kalonte lehtë e pa u duartrokitur. FSHF ndërmori disa kohë më parë një nismë vërtetë të bukur në nder të sistemit shëndetësor shqiptar, duke i quajtur ata edhe si Kombëtarja jonë në këto momente. E padyshim në këtë kontekst Pipero tashmë do të ishte edhe “kapiteni“ ynë në ndeshjen tonë më të vështirë. Kjo nëse marrim për bazë daljet e tij të shpeshta për publikun dhe këshillat që gjithnjë jep.

Fanella të personalizuara të kuqezinjve si dhe një top futbolli ishin edhe dhurata simbolike që u shpërndanë nga qeveria e futbollit shqiptar për të gjithë punonjësit e shëndetësisë. FSHF ka ndarë me të gjithë edhe momentet kur “lojtarët“ tanë kanë bërë tyren dhuratën, ndërsa nuk kanë nguruar të shprehin edhe falenderimet e tyre për vlerësimin e madh që u është dhënë. Ndërkohë vetë Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, ka zhvilluar një takim ditën e sotme me doktorët Pëllumb Pipero dhe Arjan Harxhi, ku i ka përcjellë nga afër edhe vlerësimet më të mëdha krenarinë që kanë ngjallur te gjithë shqiptarët në këtë betejë të vështirë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/