VIDEO | Penallti dhe ndërhyrje horror, rastet ku “akuzohen” gjyqtarët

U zhvilluan ndeshjet e fundit të fazës së tretë në Superiore dhe pati shumë raste të diskutueshme nga arbitrat. Momente të dyshimta në të katër përballjet, teksa ka penallti të padhëna, ndonjë të vjedhur, ndërhyrje dhe raste të tjera të dyshimta. Më poshtë sjellim rastet e hasur anë takimet e zhvilluara.

FLAMURTARI  – TIRANA

15’ – Ndërhyrje e rrezikshme e Sukajt ndaj Karabecit. Jorgji i tregon kartonin e verdhë, por ndërhyrja ka disa elementë si takat e ngritura lart dhe vrulli i madh që e çojnë lehtësisht brenda limiteve të së kuqes.

35’ – Turtulli i ndëshkuar më parë me të verdhë ndalon me faull Sukajn gjatë një kundërsulmi të rrezikshëm të Flamurtarit. Arbitri Jorgji e kursen  lojtarin e Tiranës duke dhënë vetëm faull. Ndërkohë, për të njëjtin aksion Maveje ndëshkohet me karton të verdhë për një faull që fillimisht u la avantazh.

51’ – Jorgji akordon penallti për Tiranën pas një faulli të Deliajt ndaj Hoxhallarit. Pamjet filmike të lënë të dyshosh mbi forcën e kontaktit midis dy lojtarëve.

LAÇI – TEUTA

43’ – Në përpjekje për të kapur topin, Gashi ndërhyn në kohë vonesë ndaj Okpotus brenda zonës së rreptësisë. Për arbitrin Beqiri loja është  e rregullt, por pamjet filmike tregojnë se lojtari i Teutës nuk ka pasur kontakt me topin gjatë ndërhyrjes.

 

74’ – Kamara gjen traversën dhe më pas përplaset me tokën pranë vijës fatale.  Rasti është tepër i diskutueshëm.

PARTIZANI – LUFTËTARI

3’ – Gjuajta e Dukës përplaset nga Asanin dhe më pas përfundon në rrjetë. Asani është dukshëm pozicionin jashtë loje dhe goli duhej anuluar. Përgjegjësia më e madhe për këtë gabim bie mbi arbitrin anësor që ka pasur pamje të qartë.

15’ – Kocionis ndërhyn në kohë vonesë brenda zonës së rreptësisë ndaj Asanit duke kapur kontakt me këmbën e lojtarit të Partizanit. Arbitri Shahini nuk akordon penallti.

KASTRIOTI – KUKËSI

19’ – Faull i Cuculit ndaj Roxher. Kontakti midis dy futbollistëve fillon jashtë zonës së rreptësisë dhe shtyrja përfundon brenda kuadratit. Arbitri Hamiti akordon faull jashtë zone.

57’ – Çela i Kastriotit përplaset me Çyrbjen. Futbollistët më pas vihen kokë me kokë me njëri-tjetrin, ku Çela në nerva e sipër godet me një grusht të lehtë në faqe lojtarin e Kukësit. Më pas kapiteni  i Kastriotit arrin t’i heqë fanellën futbollistët të shtrirë.

65’ – Ymeraj godet me shkelm nga mbrapa Rrocën. Duke qenë se goditja ka qenë me dashje gjyqtari Hamiti ndëshkon mesfushorin me të verdhë. Rregullorja e pranon ndëshkimin e këtyre rasteve më të kuqe në varësi të forcës, sidomos kur qëllimi i lojtarit që kryen faullin është me keqdashje. Megjithatë duhet pranuar se forca  e shkelmit nuk është e fortë dhe nuk shkakton dëme te lojtari i Kukësit, një faktor ky që është marrë parasysh nga arbitri për këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *