VIDEO/ Pasimi gjenial i Taulant Seferit, ndal Bazelin dhe kapitenin Taulant Xhaka në shansin e artë

Një derbi shqiptarësh ka ardhur në ditën e sotme në Zvicër, atje ku Bazeli dhe Xamax janë ndalur në barazimin 1-1. Shumë futbollistë shqiptarë ndodheshin në fushë, ndërsa te gjigandët zviceranë me shirit kapiteni ka qenë Taulant Xhaka.

Të parët në avantazh kaluan miqtë, falë edhe asistit gjenial të Taulant Seferit, që me një top të gjatë dhe të ulët ka nxjerrë huq gjithë vendosjen e Bazelit. Një lëvizje e bukur do të vinte edhe nga Nuzzolo, për të gjetur golin e parë.

Për të ardhur te barazimi i Bazelit në minutën e 74, ku protagonist do të ishin sërish lojtarët shqiptarë. Zhegrova rrëmbeu bukur një top dhe e krosoi te Kemal Ademi, që nuk mund të gabonte nga 2 metra larg portës. Por ekipi i Bazelit humbet mundësinë për të marrë vendin e parë, ndërsa ndodhet një pikë larg Young Boys. Një shans i artë i humbur ky, pasi Young Boysi u mund me rezultatin 3-0 në transfertë ndaj Servetes. /Sport Ekspres/