VIDEO | Partizani bind kundër Teutës, titulli në duart e “Demave”

Partizani ia ka dalë që të triumfojë në shtëpi përballë një rivali shumë të fortë si Teuta, duke triumfuar 3-0. “Demat” e nisën praktikisht në avantazh sfidë, pasi Bruno Telushi realizoi vetëm pas katër minutash lojë. Një goditje dënimi ekzekutohet shkurt nga Asani dhe Telushi godet menjëherë, duke mposhtur portierin Hidi.

Gjatë gjithë pjesës së parë, të besuarit e Gegës e dominuan takimin dhe krijuar raste shumë të rrezikshme. Edhe në daljet e pakta të Teutës, vendasit ishin shumë të rrezikshëm në kundërsulm. E pikërisht nga një i tillë, erdhi dhe goli i dytë. Asani niset në sprint dhe vjedh një top në mesfushë, i afrohet me shumë shpejtësi zonës dhe pengohet nga Kallaku. Për gjyqtarin, penallti dhe karton të verdhë për talentin e Teutës.

Ekzekutimin e penalltisë e merr përsipër Ardit Hila, mesfushori që luajti ndeshjen e parë pas rikthimit nga dëmtimi i gjatë. Hila tregohet i saktë dhe shënon si “ish” në këtë sfidë, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë “Demave”. Pjesa e dytë foli më shumë për Teutën, që nuk u pajtua me këtë rezultat, por golin e gjeti Partizani. Në minutën e 89’, Çinari shënon me anë të një kundërsulmi, duke hedhur në tapet Teutën. Partizani u mbrojt mirë gjatë gjithë takimit dhe mori një triumf të pastër 3-0. Tashmë, të kuqtë ngjiten në kuotën e 53 pikëve, 9 më shumë nga ndjekësit e Kukësit dhe titulli kampion është në duart e tyre.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25

E diel, më 17 mars 2019, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

Partizani-Teuta  3-0
Telushi 4′, Hila (p) 33′, Çinari 89′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Belica, Rexhepi, Trashi, Telushi (Kote 46′), Hila, Asani (Çinari 65′), Mensah (Kardozo 74′), Mala. Trajner: Skënder Gega

Teuta: Hidi, Avdyli, Osmani, Arapi, Hakaj, Gashi (Latif 46′), Sidibe, Kallaku (Vecaj 62′), Traore (Vajushi 77′), Progni, Bushiç. Trajner: Bledi Shkëmbi

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Denis Rexha,  Gernat Qirici, Denis Agaraj; Gjyqtarë linje: Ardian Beqiri; Kreshnik Cjapi

Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Arianit Lulaj

Kartonë të verdhë: Telushi 8′, Rexhepi 69′, Çinari 89′ / Progni 24’, Kallaku 32′

EPISODET

90’ Mbyllet takimi, Partizani bind përballë Teutës dhe triumfon 3-0

89’ Goool Partizani! Një kundërsulm shumë i mirë i vendasve gjen të vetëm përballë portierit Çinarin, i cili gjuan me të majtën dhe shënon golin e tretë për “Demat”. Dominim total nga të kuqtë

85’ Luhen minutat e fundit, Partizani mbrohet mirë dhe pret kundërsulmin

77’ Provon Teuta të shënojë të paktën një gol që të rihapë sfidën, por tentativat e miqve janë të gjitha jashtë kuadratit

69’ Rexhepi ndëshkohet me të verdhë dhe Teuta kërkon të realizojë një skemë me anë të goditjes së dënimit. Progni rrëzohet në mënyrë të çuditshme dhe “Demat” nisen në kundërsulm. Mensah ka tri alternativa pasimi, por kërkon të bëjë gjithçka vetë, megjithatë Hidi e ndal gjuajtjen e tij

60’ Hakaj del mirë nga e majta dhe kroson në qendër. As Bushiç, as Latif nuk reagojnë në kohë dhe largon rrezikun Trashi

58’ Asani është i papërmbajtshëm. Numri 10 i të kuqve driblon me mjaft lehtësi mbrojtësin Hakaj dhe mundohet të shërbejë për Mensah në qendër, por aksioni mbyllet pa sukses

52’ Aksion perfekt i Partizanit. Mala del mirë nga e majta dhe shërben në qendër për Mensah, i cili gjuan me të djathtën, por shumë larg portës

46’ Nis me ndryshime pjesa e dytë. Latif në fushën e lojës në vend të Gashit. Telushi mbetet në dhomat e zhveshjes për probleme fizike, Kote zbret në fushë

45’ Mbyllet pjesa e parë në “Selman Stermasi”. Golat nga dy mesfushorët Telushi dhe Hila vendosin shifrat e fraksionit të parë të lojës, 2-0

43’ Dominim i Partizanit, “Demat” të rrezikshëm në çdo sulm të tyre

33’ Goool Partizani! Ardit Hila tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe gjen golin pas rikthimit të tij nga dëmtimit. Dyfishojnë “Demat” dhe hedhin një hap të rëndësishëm për të marrë tri pikët.

31’ Penallti për Partizanin! Jasir Asani bën gjithçka mirë dhe drbilon dy kundërshtarë. Kallaku e ndalon me faull brenda zonës dhe penallti. Kallaku ndëshkohet me karton të verdhë

22’ Traore është shumë i lëvizshëm dhe shfaq rrezik në mbrojtjen e Partizanit. Numri 8 i Teutës driblon mirë Trashin dhe merr fundoren, por vetëm goditje këndi

15’ Teuta mundon të reagojë, por mbrojtja e Partizanit mbrohet mirë. Miqtë tentojnë nga krahu i djathtë, por Trashi dhe Mala duken të pakalueshëm

4’ Gooool Partizani. Një goditje dënimi luhet shkurt nga Asani dhe Telushi godet menjëherë, duke mposhtur portierin Hidi. Një supergol nga mesfushori i “Demave”, që tregon formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon

3’ Mala bën gjithçka mirë nga krahu i majtë, driblon Sidiben dhe shërben në qendër, por Osmani mbyll. Goditje këndi për Partizanin

1’ Nis takimi në “Selman Stermasi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *