VIDEO | Një shqiptar fundos Murinjon, Shaqiri spektakël për 10 minuta

Liverpuli nuk di të ndalet. “The Reds” siguruan një tjetër triumf dhe ngjiten përsëri në vendin e parë, duke kaluar Sitin me një pikë më shumë. Triumf në klasike ndaj Mançester Junajtid me shifrat 3-1, ku zgjidhja e ndeshjes erdhi nga një gjilanas si Xherdan Shaqiri. Dopietë e 27-vjeçarit, vetëm dhjetë minuta pas aktivizimit në fushë.

Ndeshja u dominua e gjitha nga të kuqtë e Jurgen Klop, të cilët krijuan shumë. Në pjesën e parë këmbënguljet e “The Reds”, u shpërblyen në minutën e 24-të, kur Fabinjo gjeti bukur Manen, i cili i vetëm përballë De Geas, u tregua i saktë duke çuar në avantazh të tijtë.

Gjithsesi, në minutën e 33-të, Mançesteri i Murinjos reagoi, në një ndër zbritjet e vetme në sulm për fraksionin e parë. Romelo Lukaku hodhi një top në zonë, që Alison nuk e kontrolloi në mënyrën e duhur, duke dhënë një dhuratë ideale për Xhesi Lingard, i cili vuri baraspeshën. Rezultati 1-1 ishte dhe verdikti i pjesës së parë.

Fraksioni i dytë i lojës, ishte thuajse një fotokopje e 45 minutëshit të parë, ku Liverpul dhe një herë tjetër ishte dominues, ndërsa Junajtid mbrohej. Ekipi i Klop e shtoi presionin në kërkim të fitores nga minuta në minutë dhe zgjidhja erdhi nga stoli.

Ishte minuta e 70-të, kur Nabi Keita doli nga fusha për t’i lënë vendin Xherdan Shaqirit. Djaloshit nga Gjilani i mjaftuan vetëm tre minuta për të çuar në feste të pranishmit në “Anfield”, ku shënoi me një goditje të bukur, pas një rrëmuje në zonën e Junajtid.

Gjithsesi, mbrëmja perfekte për Shaqirin nuk ishte mbyllur këtu. Shtatë minuta më vonë, ose thënë ndryshe dhjetë minuta nga aktivizimi i tij, 27-vjeçari tundi rrjetën për herë të dytë. Pas një kombinimi të bukur mes Salah e Firmino, ishte Shaqiri, i cili shënoi golin që vulosi gjithçka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *