VIDEO/ Një dramë e madhe që mbyllet 4-4, Amiens e befason PSG-në me futbollin e zhvilluar

Një ndeshje tërësisht e çmendur ka qenë ajo mes Amiens dhe PSG-së ditën e sotme. Vendasit i surprizuan të gjithë së bashku me parisienët në pjesën e parë. Kur kronometri shënonte 40 minuta, PSG po e shihte veten në një disavantazh të thellë 3-0. E për ta shtuar më tepër habinë ishte fakti se përballë kishin vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit. Mungesa e Mbappe, Neymar në sulm apo e Kimpembe në mbojtje duket se kishin një ndikim të madh në rrjedhën e takimit.

Por kur të gjithë mendonin se PSG do të dilte me kokën poshtë nga stadium, këta të fundit bëjnë atë që dinë të bëjnë më së miri, të shënojnë. I pari do të vinte në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa më pas do të ishte një 17 –vjeçar ai që do të merrte rolin e heroit për një moment. Mbrojtësi Kouassi arriti që të realizonte dopietë, duke lënë gjurmën e tij në këtë takim. Ndërsa në minutën e 74 do të ishte Icardi ai që do të përmbyste gjithçka me një gol që nuk e kishte aspak të vështirë për ta shënuuar.

Por kaq nuk do të mjaftonte, pasi në momentin kur ndeshja u mendua e mbyllur, Amiens do të bënte sërish atë që më pak pritej. Një kundërsulm i shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme në minutën e 92-të nga lojtarët e Amiens do të detyronte PSG-në të nxirrte për herë të 4-t topin nga rrjeta. Një takim i mbyllur nëshifrat përfundimtare 4-4, që ishte i luftuar deri në fund, me një Amiens që nuk u dorëzua për asnjë moment dhe ia doli të ndalë një ekip si PSG-ja, me të cilët fitorja vitet e fundit duket si një mision i pamundur për klubet franceze./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *