VIDEO | Muzaka dhe Bregu magjikë, Skënderbeu dërrmon Partizanin

Ashtu si në fazën e parë, Skënderbeu i shkakton një tjetër humbje Partizanit. “Demat” u mundën në “Selman Stërmasi” me rezultatin 0-2 me golat e Muzakës dhe Bregut, që shënuan në pjesën e dytë.

Në një ndeshje të kujdesshme dhe me pak raste për shënim, ishin tifozët e Partizanit ata që dhuruan spektakël në pjesën më të madhe të ndeshje, kjo pasi skuadrat ishin mjaft të kujdesshme që të mos pësonin gol. Kjo gjë i bënte të ndrojtura në fazën e sulmit dhe të dyja ekipet prisnin momentin e duhur për të krijuar situata të rrezikshme në portat kundërshtare.

“Demat” ishin disi më kërkues, pasi ngacmuan më shumë me Asanin, por pa rrezikuar seriozisht portën e Teqes. Edhe fillim i pjesës së dytë nuk kishte shumë ritëm dhe sërish raste e rrezikshme ishin me pikatore. Bekimi i korçarëve erdhi nga stoli, me Muzakën që kthe u në gol mundësinë e parë që ju dha. Mesfushori që në prekjen e parë mundi që të realizonte “perlë”, pas harkimit fantastik të Ditës.

Në minuta e mbetura Partizani e shtoi presionin, por nuk arriti dot që të gjente golin e barazimin, pasi juglindorët ishin të vendosur mjaft mirë në fushën e blertë. Në sekondat e fundit kishte kohë dhe për një gol mjaft të bukur të Dejvi Bregut.  Eksperienca në këtë pikë i ndihmoi korçarët që morën një tjetër fitore me shumë vlerë, kjo për faktin se mundin një rival direkt për titull.

“Ujqërit e dëborës” arrijnë që të parakalojnë “demat” në klasifikim dhe komandojnë ata në javën e 10-të të Superiore. Partizani lë kreun, duke pësuar humbjen e dytë, sërish nga Skënderbeu. Kryeqytetasit kanë dhe presionin e Kukësit që është vetëm 3 pikë larg.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 10
E hënë, më 29 tetor 2018, ora 19:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
PARTIZANI 0-2 SKËNDERBEU
Shënues:
Muzaka 64′, Bregu 90+5′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Kalari (Hyon So 81′), Telushi, Hila (Hebaj 77′), Asani, Mensah (Kote 60′), Mala, Bardhi. Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Bitri, Gojkoviç, Çinari.

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli , Radas, Aliti, Abazi, Dita, Guexh (Muzaka 58′), Demte, Gripshi (Lulaj 90+4′), Bregu, Krasniqi (Hoxhaj 68′). Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Fili, Oto Xhon, Sambou.

Kartonë të verdhë: Ibrahimi 21′, Kote 80′ Hila 58’/ Radas 44′, Abazi 86′

Gjyqtarë:  Enea Jorgji, Ermal Barushi, Ridiger Çokaj, Rejdi Avdo; Gjyqtarë linje: Andi Koçi, Klajdi Kola
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Plarent Kotherja

DIREKT

90+5’ – Pas harkimit të Hoxhajt, Bregu mjaft bukur godet nga brenda zone dhe shënon golin e dytë.

78’ – Mala provon me një të majtë të fuqishme, por topi shkon ngjitur me shtyllën.

74’ – Bregu provon nga e djathta, por topi grushtohet nga Alban Hoxha.

64’ – Pas harkimit nga e majta, Muzaka arrin që të godasë siç duhet, duke zhbllokuar rezultatin, në prekjen e parë të topit nga ana e tij, pasi sapo është futur në lojë

38’ – Hila provon me një goditje të befasishme, pas një topi të larguar jo mirë nga Demte, por topi shkoi ngjitur me shtyllën e korçarëve.

33’ – Skënderbeu provon me një skemë, por nuk godet siç duhet Bregu.

30’ – Radas hedh një top nga një goditje dënimi, Aliti e devijon në qendër të zonës së Partizanit, ku një prej mbrojtësve vendas e hedh me kokë drejt Hoxhës, i cili e kontrollon me jo pak vështirësi.

27’ – Asani hedh një top nga këndi, Teqja tenton ta kontrollojë topin, por nuk e neutralizon dot, Belica tenton ta shfrytëzojë këtë situatë duke e devijuar topin, por jo saktë për në kuadratin e portës.

18’ – Aksion fantastik i Partizanit, me Malën që bëri mirë gjithçka nga e majta dhe shërbeu për Asanin, i cili devijoi, por jo mjaftueshëm për ta çuar në fundin e rrjetës.

8‘ – Asani jep shkëndijën e parë në këtë ndeshje, pasi tenton nga e majta, por goditja e tij shkon ngjitur me portën e Teqes.

1′ – NIS NDESHJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *