VIDEO | Mesazhi i Ribajt: Flamurtari e ka grupin, uroj t’i dalë fjala Lejdit

Andi Ribaj shënoi ndaj Skënderbeut golin e parë në Superiore për këtë sezon. Ai i dha avantazhin Flamurtarit, që në fund triumfoi me rezultatin e pastër 2-0. Normalisht ai ndjehet mirë dhe shpreson që edhe në vazhdim të vijojë të realizojë për kuqezinjtë.

“Ndjehem i lumtur për golin që i shënova Skënderbeut. Goli çdo lojtar e çliron, do vazhdoj të bëj punë time sa më të mirë. Do vazhdoj të luaj dhe do mundohem të shënoj sa më shumë”, deklaroi sulmuesi para mediave.

Fokusi më pas ishte te Partizani, kundërshtari i radhës për Flamurtarin. Nuk lihet pa u përmendur edhe shakaja e Lejdi Liçajt, i cili një ditë më parë thoshte se vlonjatët do fitojnë me një gol të Ribajt. “Partizani është ekipi më i mirë për momentin. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. I kemi marrë të gjitha masat për të marrë më të mirën nga kjo përballje. Besoni te besëtytnia e Lejdit? Normalisht (qesh). Ishte një shaka e momentit, shpresoj të dalë edhe ajo batutë e Lejdit”, u shpreh Ribaj.

Gjatë kësaj periudhe Flamurtari ka pasur shumë largime dhe dy të fundit ishin Agustin Torasa dhe Albi Alla. Gjithashtu edhe ana financiare ka pasur një problem më vete. “Ka pasur largime, kjo dihet. Besoj se do i zëvendësojmë këto largime, pasi Flamurtari e ka grupin. Pagesat, si ndikojnë në grup? Kemi një frymë shumë të mirë në grup. Djemtë janë shumë entuziastë. Për problemet e tjera përgjigjen drejtuesit”, përfundoi 29-vjeçari i Flamurtarit, Andi Ribaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *