VIDEO/ Lojtarët ndërpresin lojën në minutën e 13 për Astorin, Simeone në lot pas golit

Një ngjarje emocionuese ka ndodhur në takimin me Kaljarit dhe Fiorentinës, ku të dyja ekipet kanë ndërprerë lojën në minutën e 13 për t’i kushtuar homazhe kapitenit të tyre, Astori. Ky i fundit ndërroi jetë në mënyrë tragjike dhe në moshë të re vitin e shkuar, ndërsa gjatë karrierës së tij ka mbajtur në krah shiritin e kapitenit si për skuadrën e Kaljarit ashtu edhe për atë të Fiorentinës, pjesë e së cilës ishte para se të ndërronte jetë.

Minuta e 13 u zgjodh për shkak se ky ishte edhe numri që vetë futbollisti mbante në fanellën e tij dhe gjatë kësaj ndërprerje në ekranin e madh është shfaqur imazhi i tij i buzëqeshur. Të dyja tifozeritë kanë treguar në këtë mënyrë respektin e tyre për Astorin, duke kënduar në kor fjalët “Ka vetëm një kapiten”. Rezultati i këtij takimi ka përfunduar me shifrat 5-2 në favor të Kaljarit, ndërsa Simeone, autori i golit të tretë, ka shpërthyer në lot dhe ia ka dedikuar golin e tij pikërisht Astorit./Sport Ekspres/