VIDEO | Kur nordiku Overbo i mohonte Çelsit finalen, një dekadë nga skandali i madh

0

Si sot dhjetë vite më parë zhvillohej një nga ndeshjet më të komentuara të Ligës së Kampioneve. Çelsi i Gus Hidink priste Barcelonën e Pep Guardiolës në “Stamford Bridge” për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Takimi i zhvilluar në Spanjë ishte mbyllur ashtu siç nisi dhe të dy ekipet kërkonin kualifikimin për në finalen e madhe të Romës. Majkëll Esien kalonte vendasit në avantazh në minutën e 9-të dhe në stadium niste festa.

Barcelona tenton golin, por dalja me të kuqe e Erik Abidal rreth mesit të pjesës së dytë ia vështirëson gjërat ekipit katalanas.

“Blutë e Londrës” i afrohen disa golit të sigurisë, por i pengon edhe arbitri kryesor. Norvegjezi i quajtur Tom Ovrebo kthehet shumë shpejt në ferrin e djemve të Hidink dhe tifozëve të Çelsit. Plot 3 penallti të paakorduara për ekipin anglez bënë që polemikat të mos kishin fund.

E paharrueshme skena kur Majkëll Balak i turrej në vrap nordikut “të pashpirt”. Didier Drogba nuk u përmbajt në fund, duke iu drejtuar kamerave me fjalët “Skandal, turp i qelbur”.

Edhe pse me 10 vetë, Barcelona arriti të barazonte ndeshjen. Andres Iniesta shënoi një gol shumë të bukur në minutën e tretë shtesë dhe dërgoi ekipin e tij drejt Romës, aty ku do të triumfonin përballë një tjetër ekipi anglez.

Kësaj radhe mposhtej Mançester Junajtid me golat e Samuel Eto dhe Leo Mesit. Me futboll dhe pa ndihmën e arbitrit…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.