VIDEO | Konfirmohet “mace e zezë”, Luftëtari mposht sërish Partizanin

Luftëtari ka marrë një fitore fantastike 1-3 në “Selman Stermasi” kundër Partizanit vendas, duke u konfirmuar në një farë mënyre si “macja e zezë” e të kuqve kryeqytetas. Një tripletë e jashëzakonshme e Dungës ka mjaftuar që bluzinjtë të marrin një triumf jetik.

Ndeshja nisi shumë më mirë për Partizanin, që gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 4’ të takimit me anë të mesfushorit Dilaver Duka. I ardhur në merkaton e janarit, Duka realizoi golin e parë për të kuqtë dhe bëri një ndeshje shumë të mirë. Pjesa e parë foli më shumë për Partizanin, por Luftëtari nuk e kishte thënë fjalën e fundit në fraksionin e parë të lojës.

Në vetëm 6 minuta, miqtë përmbysin gjithçka. Fillimisht, në minutën e 39’, Dunga realizon golin e tij të parë në këtë takim, duke i vjedhur kohën Atandës dhe duke realizuar një gol të bukur. Gjashtë minuta më vonë, sulmuesi kryesor i Luftëtari shfrytëzon mirë hapësirat e lëna nga mbrojtja e Partizanit dhe ndëshkon portierin Hoxha me një parabol në hyrje të zonës.

Në pjesën e dytë, pritej reagimi i “Demave të Kuq”, që provuan me të gjitha mënyrat të shënonin. Megjithatë, Luftëtari u mbrojt mirë dhe ishte i rrezikshëm me kundërsulme. Pikërisht nga një i tillë, erdhi dhe goli i nokautit. Fili merr mirë fundoren nga krahu i majtë dhe kroson në qendër, ku Dunga sërish i vjedh kohën Atandës dhe realizon një gol fantastik me thembër.

Luftëtari merr kështu një fitore të vyer sa i takon luftës për mbijetesë dhe jo vetëm që ruan distancën me Kastriotin, por parakalon dhe Tiranën në renditje, që u mposht në Vlorë nga Flamurtari.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 27
E shtunë, më 6 prill 2019, ora 18:45

Partizani – Luftëtari  1-3
Duka 4′ / Dunga 39′, 45′, 74′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Duka, Mala, Hila, Asani, Mensah (Kardozo 60′), Bardhi (Çinari 24′) Trajner: Skënder Gega

Luftëtari: Ruçi, Aleksi, Açka, Dunga, Xhekson, Hoxha, Koconis, Neziri, Rapa, Rapo, Ymeraj Trajner: Julian Ahmataj

Gjyqtarë: Klodian Shahini; Rudin Preca; Erind Burgu; Blerim Ziri

EPISODET –

74’ – Gooool Luftëtari! Dunga i pandalshëm dhe realizon golin e tretë personal. Sulmuesi duket në një ditë të shkëlqyer dhe afron edhe më tepër Luftëtarin e tij te fitorja. 1-3 për bluzinjtë e Ahmatajt, që po bëjnë një ndeshje shumë të mirë

69’ – Tjetër mundësi e mirë e Partizanit për të barazuar. Një goditje nga këndi e ekzekutuar mirë nga Trashi gjen këmbët e Ibrahimit, që gjuan me të majtën, por goditja e tij shkon pak larg kuadratit

48’ – E pabesueshme çfarë humbet Mensah. Sulmuesi i Partizanit është i lirë brenda zonës dhe pas një harkimi perfekt të Çinarit, tregohet i pasaktë në goditje.

45’ Gooool Luftëtari, sërish Dunga. Sulmuesi i gjirkoastritëve përmbys gjithçka i vetëm dhe mposht sërish portierin Hoxha, kësaj radhe me një parabolë shumë të bukur. Kryeson Luftëtari, duke shokuar “Demat”

39’ – Gooool Luftëtari. Sulmuesi kryesor Dunga është ai që i shënon sërish Partizanit, në ndeshjen e dytë radhazi. Pas një krosimi shumë të mirë të Ymerajt, Dunga i vjedh kohën Atandës dhe barazon shifrat. 1-1!

24’ – Mbyllet takimi për Bardhin. Sulmuesi del i dëmtuar nga fusha e lojës dhe në vend të tij Çinari

4’ – Gooool Partizani. Sfida nisi e vrullshme nga ana e vendasve dhe Dilaver Duka kalon në avantazh të kuqtë. Goli i parë si “Dem i Kuq” për mesfushorin e ardhur në merkaton e janarit.

1’ – Fillon takimi në “Selman Stermasi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *