VIDEO | Juve marshon, Junajtid me “zvarritje”. Bajern gjen pak buzëqeshje

Bajerni i Mynihut ka marrë një fitore pa shumë vuajtje ndaj Benfikës, duke triumfuar me rezultatin 4-1. Dy golat e Arien Roben në minutën e 13-të dhe në të 30-tën thjeshtëzuan gjithçka për gjermanët. Levandovski vulosi gjithçka duke shënuar dhe golin e tretë 6 minuta më vonë. Që në sekondat e para të fraksionit të dytë portugezët ngushtuan diferencën, por Levandovski shënoi dhe golin e dytë personal në të 51-ën, duke shuar çdo shpresë të miqve. Kishte vend dhe për një gol të Roben, i cili vulosi dhe rezultatin final të këtij takimi. Me këtë sukses Bajerni rikthehet në vendin e parë, duke lënë pas Ajaksin. Në ndeshjen e fundit, gjermanëve do u mjaftonte një barazim në Holandë për të mos rrezikuar vendin e parë.

Juventusi u mjaftua me një gol të Mario Manxhukiç ndaj Valencias, për të siguruar kualifikimin. Bardhezinjtë nuk e patën dhe aq të lehtë, pasi pjesa e parë përfundoi në barazim, por në 45 minutëshin e dytë Ronaldo shërbeu saktë nga brenda zonë për kroatin, i cili me portën e boshatisur u mjaftua me një prekje për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Skuadra e Alegrit do të kërkojë vendin e parë në ndeshjen e fundit me Jang Bojsin.

Mançester Junajtid ju fal Felainit, me një gol në minutat shtesë ndaj Jang Bojsit. “Djajtë e kuq” vuajtën shumë në ndeshjen me zviceranët, aq sa u deshën sekondat e fundit të ndeshjes për të marrë një fitore që ka shije e kualifikimit. Vendi i parë duket i vështirë për t’u arritur, por skuadra e Murinjos duhet të kënaqet me avancimin më tej, pasi për pak do i kishte ndërlikuar shumë gjërat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *