VIDEO | Junajtid jep shenja jete, i mjafton dyshja franceze ndaj Evertonit

Është mbyllur dhe sfida e fundit, për sa i përket ditës së sotme në Premier Ligë. Mançester Junajtid ka triumfuar në shtëpi ndaj Evertonit me shifrat 2-1. Ishte një ndeshje jo e lehtë për Junajtid, ku pavarësisht se ishte në avantazh të dy golave, në fundin e takimit rrezikoi shumë.

Pjesa e parë ishte mjaft e mirë për “djajtë e kuq”, të cilët krijuan volum loje dhe u shpërblyen në minutën e 27-të të takimit, ku Pol Pogba i dërgoi në avantazh. Antoni Marsial u pengua në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari i takimit akordoi 11-metërsh në favor të ekipit të Murinjos. Pogba gaboi nga pika e bardhë, por e korrigjoi gabimin, pas topit të kthyer nga Pikford.

Fraksioni i dytë i lojës, nisi menjëherë me gol për Junajtid. Përsëri dyshja franceze Pogba-Marsial u ngjit në skenë dhe mposhti për herë të dytë Evertonin. Antoni Marsial ishte autor i golit, ku pasi u asistua nga Pogba, goditi menjëherë, duke shënuar një gol mjaft të bukur. Evertoni më pas e shtoi presionin dhe arriti të shkurtonte diferencën në minutën e 77-të, me anë të Gylfi Sigurdson. Islandezi shndërroi në gol një penallti të shkaktuar nga Kris Smolling.

Pavarësisht se miqtë besuan deri në fund, takimi u mbyll me rezultatin 2-1. Mançesteri i Murinjos tashmë kalon Evertonin në renditje dhe ngjitet në vendin e tetë, në kuotën e 17 pikëve. Ndeshja e ardhshme për “djajtë” do të jetë transferta e Bornmuth, ndërsa Evertoni pret Brajton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *