(VIDEO) Ibrakadabra, Junajtid me 5 yje

0

 

Suedezi shënon që në prezantimin e tij të parë me “Djajtë e kuq”. Një gol sipas mënyrës së tij. Shënojnë dhe Runi (2), Fellaini e Mata. Tifozët nisin të ëndërrojnë

Zlatan Ibrahimoviçit i janë dashur vetëm katër minuta lojë për të treguar se çfarë blerje ka bërë Mançester Junajtid në merkaton e verës. Në Suedinë e tij, Ibra ka shënuar në ndeshjen e parë me fanellën e “Djajve të kuq” që pas transferimit të tij në këtë ekip nga Paris SG-ja si lojtar i lirë. Nëse Mançester Junajtid dhe trajneri Murinjo po kërkonin një lojtar me impakt të menjëhershëm, ja ku e kanë. Ibrahimoviç nuk kërkon shumë kohë për t’u ambientuar me ekipin e tij të ri dhe pas katër minutash lojë ka shënuar sipas mënyrës së tij golin e parë në suksesin e thellë 5-2 të Mançesterit përballë Gallatasarajit. Veç golit të shënuar nga Zlatan Ibrahimoviç, ajo që ka ngrohur tifozët e “Djajve të kuq” ka qenë paraqitja e mirë e bërë nga ekipi dhe veçanërisht forca e reagimit të ekipit pasi është gjendur në disavantazh 1-2, kur Selçuk Inan dhe Bruma fillimisht kanë barazuar dhe më pas kanë kaluar në epërsi gjigantët turq. Në pjesën e dytë Junajtid ka shpërthyer, ku dy herë kapiteni Uejn Runi, e më pas Fellaini e Huan Mata kanë shënuar plot katër herë duke përmbysur gjithçka në favor të ekipit të Murinjos që ka dhënë mjaft sinjale pozitive vetëm një javë nga finalja e Superkupës së Anglisë përballë Leiçesterit.

Ndeshja – Trajneri Murinjo nuk ka vonuar dhe menjëherë ka vendosur që të hedhë në fushë nga minuta e parë yllin e ri të ekipit Zlatan Ibrahimoviç. Portugezi nuk ka bërë asnjë gabim sepse Ibra e ka shpërblyer me një gol që e ka detyruar Murinjon të diskutojë me pjesëtarët e tjerë të stafit të tij. Vetëm katër minuta lojë, një kros i saktë nga e djathta dhe Ibra me akrobaci ka kaluar Junajtidin përpara. Ky është vetëm fillimi për tifozët e Mançesterit që e kanë kuptuar se kanë humbur 3 vjet me Mojesin dhe van Galin, me miliona të shpenzuara dhe dështime të pafund. Pas golit të pësuar Gallatasaraji e përmirëson lojën e vet dhe në mesin e kësaj pjese arrin të barazojë me kapitenin Selçuk Inan. Si të mos mjaftonte me kaq gjigantët e Stambollit e mbyllin pjesën e parë në epërsi 2-1 falë golit të shënuar nga Bruma pesë minuta nga fundi i kësaj pjese. Reagimi i Mançesterit është i fuqishëm në pjesën e dytë duke përmbysur gjithçka. Në 20 minuta lojë nga minuta 55-të deri në minutën e 75-të “Djajtë e kuq” shpërthejnë duke shënuar katër gola. Uejn Runi në minutat 55-të dhe 58-të shënon dy herë duke përmbysur shifrat. Në minutën e 64-t është Maruan Fellaini që shënon golin e katërt për Mançesterin q mbyll llogaritë 15 minuta nga fundi kur Huan Mata shënon dhe golin e pestë në një fitore plotësisht të merituar dhe që jep shumë shpresë për të ardhmen.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here