VIDEO/ I pathyeshmi Interi derisa takon Juventusin! Sfidën e vendos “bisha” e Sarrit

Një ndeshje me shumë emocione ishte ajo mes Interit dhe Juventusit, sidomos nëse flasim për pjesën e parë. Atje u dhurua edhe spektakli, ndërsa në të dytën, mjaftoi një episod për të vendosur edhe fatin e sfidës.

Fillimisht do të ishte Dibala që gjeti rrugën e rrjetës, për të kaluar në avantazh bardhezinjtë. Një penallti me shumë hezitim u dha për Interin, pasi De Ligt preku topin me dorë. Nga pika e bardhë, Martinez nuk kishte sesi të gabonte.

Ronaldo festoi golin e dytë në fundin e pjesës së parë, por që më pas do të anullohej për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë ishte një lojë disi më e kujdesshme, por takimin e vendosi “bisha” e Sarrit për të mbyllur shifrat në 1-2. Bëhet fjalë për Gonzalo Higuain, me trajnerin aktual të Juventusit që e ka marrë kudo ka shkuar, pasi e transformoi te Napoli.

Pavarësisht kritikave të shumta, futet në fushë si zëvendësues dhe i jep një fitore të rëndësishme skuadrës në transfertë. Pikërisht ndaj Interit, që nuk njihte asnjë fjalë tjetër veçse fitores në këtë kampionat, derisa takoi Juventusin. Tashmë janë këta të fundit që kanë marrë kryesimin e tabelës, duke kaluar zikaltrit në vendin e dytë. /Sport Ekspres/