VIDEO | I eleminoi në kupë, hakmarrja e PSG për librat e historisë

PSG vijon të tregohet i pamëshirshëm në Ligën e parë franceze, pasi ka shkatërruar Guingampin me shifrat 9-0. Një fitore, që e çon diferencën me Lilën e vendit të dytë në 13 pikë, ku parizienët kanë dhe dy ndeshje më pak.

Festivalin e golave e hapi Nejmar në minutën e 11-të, teksa shënoi një gol fantastik. Më pas, në skenë u ngjit Kilian Mbape, i cili shënoi dopietë brenda 8 minutash, konkretisht në minutat 37 dhe 45, duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 3-0.

Në fraksionin e dytë, kryeqytetasit nuk e ulën vrullin, teksa në minutën e 59-të shënuan me Edinson Kavanin golin e katërt. Tetë minuta më vonë, përsëri uruguaiani shënoi golin e dytë personal dhe të pestin për ekipin e tij.

Nejmar në minutën e 69-të shënoi golin e gjashtë të sfidës, duke e thelluar akoma më shumë rezultatin. Kavani, plotësoi tripletën në të 76-tën, ku shifrat shkuan 7-0. Parizienët nuk u ndalën dhe shënuan dy herë të tjera me Mbape dhe Munier, duke mbyllur gjithçka në 9-0. Kujtojmë, Guingampi ishte ekipi që e eliminoi nga Kupa PSG-në një javë më parë, me fitoren 1-2 në “Parc des Prince”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *