VIDEO | Historike, Andy Ruiz turpëron Anthony Joshua-n

New York, 1 qeshor 2019… Andy Ruiz, një boksier meksikano-amerikan i njohur vetëm nga fansat më të thekur të boksit shkroi historinë, duke lënë gojëhapur të pranishmit në “Madison Square Arena” dhe njëkohësisht me miliona njerëz anembanë botës. 29-vjeçari mundi me nokaut në raundin  e shtatë mbajtësin e pamposhtur të katër brezave kampion bote, Anthony Joshua. Nga dita e sotme brezat “WBO, WBA, IBF, IBO” kanë një pronar të ri.

Ajo çka Ruiz bëri sot i përafrohet disfatës më të pabesueshme të historisë së boksit, humbjes së parë të Mike Tyson ndaj James “Buster” Douglas plot 28 vite më parë. Me një fizik obez (121 kilogram) dhe gjatësi e hapje krahësh relativisht “lilipute” për peshat e rënda, askush nuk i dha një shans 29-vjeçarit, fitorja e të cilit kuotohej me koeficientin 25.

“Nuk zgjat më shumë se dy raunde”, “Ç’është ky trashaluq”, “Nokauti i radhës për Joshua-n”, “Po harxhojmë kohë kot duke parë këtë duel”, këto frazat janë përdorur me miliona njerëz anembanë botës, por në fund “trashaluqi” na dha një mësim: Në boks vendos ZEMRA dhe jo muskujt, gjatësia ose forca.

DUELI – Në dy raundet e para, ashtu siç ndodh shpesh në boks, të dy boksierët u treguan pasiv duke u përpjekur të studionin strategjinë e njëri-tjetrit. Spektakli i vërtetë filloi në raundin e tretë, me siguri një ndër më të bukurit e këtij sporti.

Joshua rrëzon meksikanin me një të majtë të fuqishme. Ruiz ngrihet menjëherë dhe Joshua i sulet për t’i dhënë goditjen përfundimtare, por ky turr i papërmbajtur rezultoi një gabim fatal për anglezin. Ruiz përdor armën e tij më të fortë, shpejtësinë e grushteve. Ai arrin ta trullosë “gjigantin” anglez me dy të majta të fuqishme, duke  e rrëzuar në tapet.

Joshua ia del të ngrihet në kohë dhe falë mbajtjeve të shpeshta trup më trup mbijeton për disa sekonda. Megjithatë furia e grushteve të Ruiz e hedh sërish përtokë, Joshua ngrihet sërish dhe kësaj i radhe i vjen në ndihmë gongu.

Tri raundet e mëpasshme nuk u shoqëruan me shumë aksion. Raundi i shtatë dhe final foli i gjithë për kampionin e ri të peshave të rënda. Shpejtësia rrufe e grushteve të Ruiz bëhet e papërballueshme për Joshua-n, i cili prek tapetin për të tretën herë.

Edhe pse ia del të ngrihet sërish, kësaj radhe s’do kishte shpëtim. Ruiz e rrëzon sërish, Joshua ngrihet në kohë, por dukshëm i trullosur. Arbitri Michael Griffin kishte parë mjaftueshëm dhe nuk e lejon anglezin të vazhdojë duelin.

DEKLARATAT E PROTAGONISTËVE  Andy Ruiz vinte në këtë takim si një kundërshtar emergjence, me vetëm 1 muaj kohë për t’u përgatitur. Kundërshtarit të planifikuar fillimisht për Joshua-n, Jarell Miller, iu hoq mundësia për t’u përballur për titullin kampion bote për shkak të përdorimit të tri substancave të ndaluara.

Dua të falënderoj Zotin për këtë fitore”, tha boksieri, i cili bëhet meksikani i parë që fiton një titull kampion bote. “Pa Zotin, kjo do të ishte e pamundur. Ndihem jashtëzakonisht mirë, për këtë kam ëndërruar gjithë jetën. Për këtë kam punuar fort dhe s’po më besohet se ia dola të bëj ëndrrat e mia realitet. Ishte hera e parë që dikush më kishte rrëzuar, kjo më bëri që ta dëshiroja më shumë fitoren e të sulesha me gjithçka kisha”.

Falë një klauzole në kontratë, Joshua-s do t’i jepet mundësia për t’u hakmarrë në një përsëritje të duelit që do të zhvillohet në muajin nëntor ose dhjetor, kësaj radhe jo në SHBA, por para publikut të tij në Londër. Në deklaratën e shkurtër të dhënë në përfundim të duelit, ai tha: “Nuk ishte nata ime. Andy Ruiz meriton të gjithë famën dhe paratë që do t’i vijnë pas kësaj fitoreje. Nuk dua që askush të hidhërohet. Nuk jam nga ata që mendoj tani për tani, rëndësi ka të jem largpamës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *