(VIDEO) Gega: Kur shpërblehen rezultatet, s’ekziston asnjë Luizë tjetër

0
Amsterdam , Netherlands - 8 July 2016; Luiza Gega of Albania in action during round one of the Women's 3000m steeplechase on day three of the 23rd European Athletics Championships at the Olympic Stadium in Amsterdam, Netherlands. (Photo By Brendan Moran/Sportsfile via Getty Images)

“Në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” do të përpiqem të kap finalen, pastaj me kismet. Por do të përpiqem për një pozicion të mirë”

Gjergj Vyshka

Luiza Gega, shumë rekordmenia e atletikës shqiptare, tashmë dhe nënkampione e Evropës (më 27 shkurt ka qenë Kampione dhe Rekordmene e Ballkanit në salla të mbyllura në 1500 metra), nuk njeh tjetër Luizë. Atë të stërvitjes, të garave, të rekordeve, të medaljeve dhe të gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me suksesin e karrierës së saj. E pa përshblyer, me vetëm 85.000 lekë të rinj në vit nga Federata Shqiptare e Atletikës, është superheroinë që vijon të garojë e t’i bëjë të gjithë krenar. Është koha për t’u zgjuar, sepse pas futbollit, Shqipëria është në hatër Evropiane dhe në atletike. E këtë duhet t’ia dimë për faleminderit Luiza Gegës. Fenomeni që na bën të gjithë krenar. Së pari ne gazetarëve. Ja dhe prononcimi i saj për Sport Ekspres menjëherë pas garës.

 Nënkampione e Evropës në 3000 metra me pengesa, komenti juaj?

  • Jam jashtë mase e lumtur që e gjithë lodhja ime dhe e trajnerit Stërmasi si të thuash në një farë mënyre u shpërblye. Kam gjithë këto vite që i rrotullohesha medaljes, por mendoj që thjesht fati nuk ka qenë me mua. Është një emocion dhe arritje e madhe për mua, por besoj dhe për të gjithë atletikën shqiptare, pasi është medalja e para evropiane në historinë e këtij sporti. Shpresoj ta kem këmbën e mbarë.
  • Në fakt medalja ka ardhur në një garë që nuk jemi mësuar t’iu shohim zakonisht. A mund të ishte zgjedhur 3000 metra me pengesa që në fillim të karrierës?
  • Unë në fakt e fillova këtë garë para gjashtë viteve, por pata një dëmtim (stres frakturë), atje ku doktori m’i ndaloi pengesat. Pastaj u fokusova tek 1500 metra, ku po punoja shumë mirë dhe nuk u shkëputa prej saj. Këtë vit bëmë një analizë me trajnerin se ku i kisha mundësitë më të mëdha për medalje dhe vendosëm të rishikojmë përsëri këtë garë. Dhe jam shumë e lumtur që u riktheva, madje me medalje.
  • Si ishin kundërshtaret dhe a u habiten që një shqiptare i sfidonte aq fortë?
  • Këtë në fakt nuk e di, por unë renditesha e treta me rezultat në Evropë. Pra me rezultatin që kisha deklaruar isha në zonën e medaljeve, por garës sigurisht që asnjëherë nuk i dihet se si shkon. Dhe nuk e di nëse ndoshta e kanë parë CV-në time sportive. Ndoshta e kanë parë dhe nuk janë habitur me rezultatet e mia. Por njerëzit që nuk e njohin me detaje atletikën besoj që janë habit.

https://www.youtube.com/watch?v=V6F4AtNfjJA

  • Nga kush i ke marrë urimet e para dhe kë falënderon?
  • Urimet e para i mora nga njerëzit që ishin me mua në Amsterdam. I pari trajneri Taulant Stërmasi, më pas profesor Vildan Tufi, atleti Izmir Smajlaj, drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj. Klodiana Shala, që ishte e emocionuar shumë, më ka uruar pa fund. Ekipi im, familja e shumë të tjerë. Falënderimi shumë i madh shkon për trajnerin dhe pse e kam thënë shumë herë dhe nuk do resht së thëni, sepse ai është mbështetja ime, qoftë kjo dhe financiare. Shpresoj të mos jetë më si nga ana financiare, por dhe si masazhator, sepse tashmë duhet të më trajtojnë ndryshe. Falënderoj Sigal Uniqa Group, TNT Albania dhe Krako.
  • S’ka kohë për pushim, menjëherë Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Objektivi?
  • Fillimisht synoj finale, pastaj me kismet e me të parë dhe të bërë. Do të përpiqem për një pozicion më të mirë në Rio.
  • Vetëm stërvitje dhe gara në të gjithë këtë periudhë, Luiza për Luizën kur do të kujdeset?
  • Kur rezultati e shpërblen lodhjen atëherë nuk ekziston një Luizë tjetër, vetëm ajo në stërvitje.
  • Së fundi, mbështetja nga Federata Shqiptare e Atletikës?
  • Gjergji Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, si njeri është shumë dashamirës, shumë tifoz dhe u ndje shumë krenar nga gara që bëmë. Por për fat të keq kam pasur pak mbështetje nga Federata Shqiptare e Atletikës përsa i përket anës financiare. Ndoshta kanë munguar fondet në Federatën Shqiptare të Atletikës, por kjo është situata. Shpërblimi ka qenë 85.000 lekë të reja neto në vit.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image