VIDEO | Flamurtar i çmendur, Partizani kampion dhe Kukësi rrezikon vendin e dytë

Kukësi i ka larë duart me titullin kampion këtë sezon, pasi Flamurtari e mundi 1-2 në “Elbasa Arena”. Golat nga Sukaj dhe Musta nuk i dhanë aspak vlerë asaj rrjete të Rexhinaldos dhe të të besuarit e Ilir Dajës morën tri pikë të vyera.

Ndeshja nisi shumë më mirë për verilindorët, që krijuan tre raste të pastra në vetëm 30 minuta lojë. Valdet Rama dy herë dhe dhe Shkurtaj shpërdoruan. Në minutën e 39’, Xhevahir Sukaj bën që Kukësi të pendohet për rastet e humbura, pasi i jep avantazhin kuqezinjve nga Vlora.

Pasi rrëzon përtokë Cuculin, numri 9 i Flamurtarit ndëshkon edhe Frashërin, duke çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-1. Kur pritej reagimi i Kukësit në pjesën e dytë, ishte sërish skuadra e Flamurtarit që shënoi. Musta i driblon të gjithë brenda zonës dhe në minutën e 49’, shënoi golin e nokautit. Kukësi i mundua të reagojë dhe të mos dalë pa pikë nga kjo sfidë, por vetëm ai gol i Rexhinaldos në minutën e 70’ nuk mjaftoi.

Verilindorët janë tashmë -12 pikë nga Partizani, që me shumë gjasa e ka siguruar titullin kampion. Jo vetëm kaq, por rrezikohet dhe vendi i dytë, pasi Flamurtari po shfaqet rrezikshëm në horizont.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 29
E diel, më 14 prill 2019, ora 15:45

KUKËSI-FLAMURTARI   1-2
Rexhinaldo 70′ / Sukaj 39′, Musta 49′

Kukësi: Frashëri, Uilliam, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku, Ethemi (Cyrbja 51′), Musolli (Joti 87′), Rroca, Rama, Rexhinaldo, Shkurtaj. Trajner: Ernest Gjoka

Flamurtari: Koliçi, Deliaj, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Batha, Rrapaj (Mustafa 61′), Musta, Ribaj, Kale (Beqaj 86′), Sukaj (Ymeraj 80′). Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Kridens Meta, Nertil Bregasi, Mario Shazivari, Klodian Shahini

Kartonë të verdhë: Rroca 33′ / Batha 27’

EPISODET –

90’ – Mbyllet takimi në “Elbasan Arena”. Kukësi mposhtet 1-2 nga Flamurtari. Golat nga Sukaj dhe Musta zhvlerësojnë rrjetën e Rexhinaldos.

81’ – Kukësi shtyn përpara në kërkim të barazimit. Rama bën shumë mirë brenda zonës, shërben jashtë saj për Musollin, por gjuajtja e kapitenit shkon jashtë.

70’ – Shkurtaj bën gjithçka mirë nga krahu i djathtë, driblon Kotobellin dhe shërben në qendër për Rexhinaldon, i cili nga një distancë e afërt nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Koliçi

59’ – Tjetër mrekulli e Koliçit. Portieri i Flamurtarit ndal tashmë sulmuesin Rexhinaldo, me këtë të fundit që gjuajti shumë bukur me kokë.

49’ – Gooool Flamurtari! Vetëm 4 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, të besuarit e Dajës shënojnë sërish, me anë të Mustës. Mëngjarashi bën gjithçka mirë brenda zonës dhe shënon një supergol me të majtën, duke dyfishuar shifrat.

45’ – Mbyllet pjesa e parë në “Elbasan Arena”. Kukësi pati tre raste të pastra për të shënuar, por Xhevahir Sukaj po i jep avantazhin vlonjatëve. Edhe 45 minuta të tjera për t’u luajtur

39’ – Gooool Flamurtari! Kukësi pati shumë raste të pastra, por është Xhevahir Sukaj ai që shënon golin e parë të sfidës.. bomberi i Flamurtarit leviz shumë mirë brenda zonës dhe rrëzon në tapet Cuculin, për të ndëshkuar më pas dhe portierin Frashëri me të djathtën.

32’ – Një tjetër rast i artë për Kukësin. Musolli jep një pasim perfekt për Shkurtajn, i cili vrapon i lirë drejt zonës kundërshtare. Vendos të godasë nga hyrja e saj, por e djathta e tij shkon jashtë kuadratit.

24’ – Super Koliçi! Portieri i Flamurtarit ndal sërish Valdet Ramën. Sulmuesi i Kukësit driblon të gjithë mbrojtjen e Flamurtarit, por ndalet sërish nga gardiani i Flamurtarit

14’ – Një aksion model i Kukësit. Shkurtaj shërben shumë mirë për Ramën, i cili është i vetëm përballë portierit Koliçi. Gardiani 33-vjeçar i Flamurtarit nuk i druhet aspak dhe e ndal tentativën e sulmuesit të Kukësit.

10’ – Rroca rikthehet në fushë dhe menjëherë është i rrezikshëm. Një aksion shumë i bukur i verilindorëve gjen këmbët e mesfushorit, i cili gjuan menjëherë, por pa rrezik. Neutralizon Koliçi.

7’ – Shqetësohet trajneri Gjoka, pasi mesfushori Rroca shtrihet në tokë i dëmtuar. 25-vjeçari ka nevojë për ndihmën e stafit mjekësor të Kukësit dhe del nga fusha duke çaluar

1’ – Fillon takimi në “Elbasan Arena”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *