VIDEO | Fenerbahçe nuk fal në Turqi, Astana fitore për kreun

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të raundit të katërt të fazës së grupeve në Europa League. Fenerbahçe ka arritur një fitore tepër të rëndësishme në shtëpi, duke mposhtur Anderlehtin me rezultatin 2-0. Të dy golat e fitores së turqve u shënuan në pjesën e dytë.

Francezi Valbuena kaloi Fenerbahçen në avantazh në minutën e 71. 34-vjeçari krosoi një top të bukur nga krahu i majtë i sulmit, me topin që nuk u prek nga askush duke përfunduar në rrjetë. Vendasit nuk u ndalën dhe pas tre minutash gjetën golin e dytë. Valbuena ishte sërish protagonist, duke i marrë topin një mbrojtësi belg dhe duke dhuruar asist për Majkëll Frei. Zvicerani e kishte të thjeshtë për të shënuar, duke siguruar fitoren e vendasve.

Miqtë e mbyllën sfidën me një lojtar më pak, pas daljes më të kuqe të Zakaria Bakalit 11 minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Ky trepikësh e ngjit Fenerin në vendin e dytë me 7 pikë, ndërsa Anderlehti mban vendin e fundit në grup, me vetëm një pikë.

Një fitore tepër të rëndësishme ka arritur dhe Astana në shtëpi përballë çekëve të Jablonec me rezultatin 2-1. Pedro Henrike kaloi Astanën në avantazh në minutën e 18. Braziliani shfrytëzoi një goditje këndi dhe një pasim të Zainutdinov, për të shënuar golin e parë të ndeshjes. Jablonec barazoi shifrat katër minuta përpara fundit të pjesë së parë. Përsëri goditje këndi, kësaj radhe për miqtë dhe Zainutdinov, nuk dhuron më asist, por devijon një top, duke shkaktuar autogol.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të gjenin golin e fitores, dy minuta përpara fundit të ndeshjes. Një krosim i bukur nga e majta dhe Postnikov, i cili shënon, duke shfrytëzuar pasimin e Tomasov. Festë në stadium, me ekipin kazak që siguron fitoren dhe ngjitet në krye të grupit me 8 pikë, ndërsa Jablonec mbetet e fundit me vetëm dy pikë të mbledhura në katër ndeshje.

Astana – Jablonec 2-1
(Pedro Henrike 18’, Postnikov 88′ / Zainutdinov (aut) 41’)

Fenerbahçe – Anderleht 2-0
(Valbuena 71’, Frei 74’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *